RajoniTop Lajme

Seanca e jashtëzakonshme plenare e Kuvendit – gjithçka që duhet të dini

Shpërndaje

Bazuar në kërkesën 41 deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryeparlamentares Albulena Haxhiu, mbajti sot seancë të jashtëzakonshme plenare, në të cilën u shqyrtuan një varg projektligjesh.

Pikë e parë e rendit të ditës ishte Projektligji nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Për të proceduar tutje me shqyrtimin e këtij projektligji, kryetarja e Kuvendit kërkoi që të merret vendim që të shmangen procedurat e zakonshme.

Pas miratimit të mocionit për shqyrtim me shmangie nga afatet procedurale, seanca vijoi me paraqitjen e përfaqësuesve të grupeve parlamentare.

Në cilësi të propozuesit, deputeti Përparim Gruda (PDK) vuri në spikamë nevojën e plotësim-ndryshimit të këtij projektligji. Duke e arsyetuar këtë nismë, ai vlerësoi se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, bazuar në ligjin paraprak, kanë njollosur dhe dëmtuar rëndë luftën çlirimtare, UÇK-në dhe Kosovën.

Më pas, deputeti Gruda u fokusua te përmbajtja e projektligjit të propozuar, duke shtuar se ai nuk cenon dhe nuk ka për qëllim zhbërjen e Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, por vendosjen e drejtësisë dhe zbatimin e mandatit të saj për të cilin është themeluar Gjykata Speciale.

Më pas folën përfaqësuesit e grupeve parlamentare.

Në emër të GP të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kryetarja Arbërie Nagavci, tha se subjekti që përfaqëson që nga fillimi ka qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale dhe se qëndrimi i tyre sot është në favor të miratimit në parim të këtij projektligji.

Edhe përfaqësuesit e grupeve të tjera, Bedri Hamza (PDK), Ramush Haradinaj (Aleanca) dhe Artan Asllani (Grupi Multietnik), paraqitën qëndrimet në mbështetje të projektligjit.

Ndërkaq, Jehona Lushaku – Sadriu (LDK), deklaroi se grupi i saj parlamentar nuk e përkrah këtë nismë, pasi që sipas saj, mund të ketë pasoja të mëvonshme juridike dhe ndërkombëtare.

Duke marrë fjalën në seancë, Kryeministri Albin Kurti tha se lufta e drejtë e popullin tonë ishte luftë çlirimtare dhe antikolonialiste, ndërsa bartëse e kësaj lufte ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“UÇK-ja është shprehja më e lartë politiko-ushtarake në historinë tonë çlirimtare që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, theksoi Kryeministri Kurti.

Duke iu referuar propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Kryeministri vlerësoi se iniciativa për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale është e ngutshme dhe nuk është analizuar sa duhet.

“Ne nuk jemi të bindur për dobinë e këtij ligji. E dimë që ju besoni në të dhe ne duam të besojmë në besimin tuaj. Po ashtu, na keni thënë që këtë projektligj e mbështesin edhe ekipet mbrojtëse, andaj po ua mbështesim ne”, tha ai.

Kreu i Qeverisë tha se për të pasur një strategji të qëndrueshme për situatën e padrejtë në Hagë, “duhet të kemi edhe një shtet fort të qëndrueshëm e tërësisht funksional në Kosovë”.

Në vazhdim, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e hodhi në votim propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Me 91 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, projektligji u miratua në parim nga ana e Kuvendit.

Në vijim, deputetët shqyrtuan dhe miratuan po ashtu edhe disa projektligje, të cilat kanë karakter edhe të marrëveshjeve ndërkombëtare: Projektligjin nr.11/L-002 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë, Projektligjin nr.11/L-014 për Ratifikimin e Amendamentit Nr. 1. të Marrëveshjes Financiare në mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2021, Projektligjin nr.11/L-015 për Ratifikimin e Amendamentit Nr. 1. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2022, si dhe Projektligjin nr.11/L-016 për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027.
Seanca vijoi me zgjedhjen e Kryesuesit dhe të një anëtari të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Kështu, Kuvendi zgjodhi Lutfie Dervishin anëtare të Bordit, ndërsa Driton Gojanin, Kryesues.

Në vazhdim, Vlora Spanca u rizgjodh Auditore e Përgjithshme e Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së Arian Tahiri, paraqiti një mocion procedural për shmangien nga afatet e përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit, në mënyrë që Projektligji për Dhomat e Specializuara të shqyrtohet në lexim të dytë gjatë seancës së sotme.
Lidhur me këtë reagoi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila duke iu përgjigjur deputetit Tahiri tha se nuk mund të propozohen mocione të tilla në mes të shqyrtimit të pikave të tjera të rendit të ditës.

“Është shumë e rëndësishme që të jemi bashkë dhe t’i japim vendit president. Prandaj ju ftoj që të takoheni, të merreni vesh dhe të vini në seancë”, tha Kryetarja Haxhiu.

Ndërkohë, lidhur ne protestën rreth Kuvendit, thyerjes së xhamave, dëmtimit të objektit të Kuvendit dhe akteve të tjera të dhunës, Kryetarja Haxhiu tha se e drejta për protestë është e garantuar me Kushtetutë por aktet e dhunës janë të papranueshme. Kryetarja Haxhiu u bëri thirrje protestuesve që ta ruajnë karakterin paqësor të protestës, sepse, siç tha ajo dhuna e dëmton vetë kauzën të cilën të gjithë duam ta mbrojmë, atë të UÇK-së dhe të çlirimtarëve tanë.

Pas kësaj, seanca vijoi sipas rendit të ditës të paraparë për këtë seancë.

Kështu, u shqyrtuan dhe u miratuan në parim edhe këto projektligje: Projektligji nr.11/L-006 për Byronë Shtetërore dhe Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Projektligji nr.11/L-017 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, Projektligji nr.11/L-007 për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Projektligji nr.11/L-008 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 08/L-249, Projektligji nr.11/L-009 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligji nr.11/L-010 për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Projektligji nr.11/L-011 për Akademinë e Drejtësisë, Projektligji nr.11/L-003 për Energjinë, Projektligji nr.11/L-004 për Energjinë Elektrike, Projektligji nr.11/L-005 për Inovacion dhe Ndërmarrësi, Projektligji nr.11/L-012 për pagesat e vonuara në transaksionet tregtare, Projektligji nr. 11/L-013 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.

Seanca e sotme i mbylli punimet me shqyrtimin dhe miratimin në lexim të parë të Projektligjit nr.11/L-018 për Menaxhimin e Resurseve Ujore.