Gërvalla: Byroja Shtetërore kalon suksesshëm leximin e parë në Kuvend me 81 vota ‘për’
Pakoja e projektligjeve të reformës në Drejtësi miratohet në lexim të parë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar sot në lexim të parë pakon e pesë projektligjeve që synojnë reformimin dhe forcimin e mëtejshëm të sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës.
Pakoja përfshin Projektligjin për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve; Projektligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve; ndryshimet në Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës; ndryshimet në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës; si dhe Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë.
Duke prezantuar pakon e ligjeve para deputetëve, Ministrja Gërvalla tha se bëhet fjalë për një reformë të rëndësishme dhe të strukturuar të sistemit të drejtësisë, e cila është rezultat i një pune të gjatë dhe të koordinuar ndërinstitucionale, të mbështetur në Deklaratën e Përbashkët të Zotimit të vitit 2023.
Duke folur për Projektligjin për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Ministrja Gërvalla tha se do vendosen standarde të reja të cilësisë, efikasitetit dhe integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Kosovës.
“Për herë të parë, rekrutimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve do të shoqërohet me verifikim të thelluar të kandidatëve, duke përfshirë evidencat penale, llogaritë bankare, regjistrat e pronave, punëdhënësit e kaluar dhe informacionet nga shoqëria civile. Kjo qasje e re garanton që në sistem do të hyjnë vetëm profesionistë me integritet të plotë dhe të verifikuar”, deklaroi ajo, duke shtuar se ky Projektligj parasheh gjithashtu mekanizma të qartë për kontrollin e integritetit, përfshirë kontrollin e plotë të pasurisë çdo tre vite për gjyqtarët dhe prokurorët, ndërsa në rast të vërtetimit të pasurisë së pajustifikueshme parashihet shkarkimi nga detyra.
Duke folur për projektligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Ministrja Gërvalla tha se reforma synon ndryshimin rrënjësor të sistemit aktual disiplinor, duke lidhur shkeljet e përcaktuara me masat përkatëse dhe duke rritur transparencën.
“Trajtimi shkeljeve disiplinore kalojnë nga kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurorët te Këshillat, duke larguar kështu vendimmarrjen nga një person i vetëm dhe duke e vendosur atë tek organet kolegjiale ku ka më shumë transparencë. Do të krijohen panele hetimore të specializuara, me gjyqtarë dhe prokurorë të caktuar për mandate pesëvjeçare, duke siguruar trajtim më efikas dhe më profesional të rasteve disiplinore”, tha Ministrja Gërvalla.
Një tjetër shtyllë e reformës është Projektligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës ku sipas Ministres Gërvalla do të sjell një qasje moderne të qeverisjes së sistemit gjyqësor, përmes një përbërjeje më të balancuar dhe gjithëpërfshirëse të Këshillit.
“Përbërja e Këshillit do të balancohet përmes përfshirjes së tre anëtarëve jo gjyqtarë të zgjedhur nga Kuvendi, nga radhët e përdoruesve të sistemit, duke sjellë perspektiva të reja profesionale në Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Projektligji siguron përfaqësim të barabartë gjinor, ndërsa kandidimi i gjyqtarëve për anëtarë të Këshillit kufizohet vetëm për ata që kanë vlerësim të mirë të performancës. Votimi nga të gjithë gjyqtarët për pozitat e anëtarëve të Këshillit, në Konferencën e Gjyqtarëve, i përcaktuar me Projektligj, garanton legjitimitet të gjerë të anëtarëve të Këshillit të cilët arrin të zgjedhën”, deklaroi ajo.
Edhe Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës sipas Ministres Gërvalla do të rregulloj statusin dhe detyrimet e administratës së sistemit prokurorial, ngjashëm si për atë të sistemit gjyqësor.
“Projektligji vendos komision profesional për vlerësimin e performancës, me përfshirje të prokurorëve të niveleve më të larta, përcakton shkeljet disiplinore për anëtarët e Këshillit dhe krijon në kuadër të KPK-së, Njësinë për Inspektim dhe Verifikim”, tha Ministrja Gërvalla.
Një tjetër shtyllë e reformës është Akademia e Drejtësisë, ku sipas Ministres Gërvalla synohet që përmes projektligjit të ri të forcohet si institucion profesional për trajnimin fillestar, të vazhdueshëm dhe të specializuar të gjyqtarëve, prokurorëve dhe profesionistëve të tjerë të sistemit të drejtësisë.
Tutje, Ministrja Gërvalla tha se reforma në drejtësi nuk përfundon me miratimin e projektligjeve, por kërkon edhe zbatim të plotë nga institucionet përgjegjëse.
“Këto projektligje do të mundësojnë organizim dhe menaxhim më të mirë të punës, dhe profesionalizim më të madh të gjykatave dhe prokurorive. Por sigurisht që edhe vet KGJK dhe KPK duhet të ndërmarrin masat e tyre zbatuese. Kush nuk performon, sipas këtyre projektligjeve, do të largohet nga sistemi”, deklaroi ajo.
Në përmbyllje të fjalës së saj në Kuvend, Ministrja Gërvalla e cilësoi pakon e projektligjeve si një investim strategjik në të ardhmen e sistemit të drejtësisë.
“Miratimi i tyre do të shënojë një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës dhe drejt përmbushjes së pritjeve të qytetarëve tanë që kanë për një sistem të drejtë dhe të pavarur”, përfundoi Ministrja Gërvalla.
Përmes një postimi në Facebook, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ka kaluar leximin e parë në Kuvend me 81 vota për, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.
Postimi i plotë:
Pako e projektligjeve të reformës në drejtësi miratohet në lexim të parë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
✅️ Projektligji për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve;
✅️ Projektligji për Përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve;
✅️ Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/l-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës;
✅️ Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/l-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 08/l-249;
✅️ Projektligji për Akademinë e Drejtësisë;
Me këto ligje jam e sigurt që kemi vënë themelin shumë të shëndoshë të reformës më të thellë në sistemin e drejtësisë të Republikës së Kosovës.
Kjo pako e projektligjeve është një investim strategjik në të ardhmen e sistemit tonë të drejtësisë. Miratimi i tyre shënon një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës dhe drejt përmbushjes së pritjeve të qytetarëve tanë që kanë për një sistem të drejtë dhe të pavarur.
✅️ Byroja Shtetërore kalon suksesshëm leximin e parë në Kuvend; me 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Hap ky shumë i rëndësishëm drejt forcimit të sundimit të ligjit dhe luftimit të pasurisë së pajustifikueshme.
Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme duhet dhe do ta jetësojmë!

