Albulena Haxhiu: Detyrat shtetërore janë të përkohshme, përgjegjësia ndaj Kosovës mbetet e përhershme
Ish-Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përcjellë një mesazh pas dorëzimit të detyrës tek Presidentja e zgjedhur, Justina Shiroka Pula.
Haxhiu ka theksuar se, ndonëse detyrat shtetërore kanë një kohëzgjatje të caktuar, përgjegjësia ndaj vendit dhe qytetarëve është e përhershme, duke uruar presidenten e re për sukses dhe duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim institucional.
Postimi i plotë:
Detyrat shtetërore na besohen për një kohë, por përgjegjësia për vendin mbetet e përhershme. Me këtë bindje, sot ia dorëzova detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës, Presidentes së zgjedhur, Justina Shiroka Pula.
Ndihem e nderuar që pata mundësinë t’i shërbej Republikës edhe në këtë detyrë. Mirënjohjen më të thellë e kam për njerëzit që më besuan dhe më pritën me ngrohtësi.
Presidentja e re e merr detyrën në një moment që kërkon maturi politike dhe gatishmëri për bashkëpunim. Dallimet do të mbeten pjesë e jetës sonë demokratike. Përgjegjësia jonë është të bëjmë që ato të shërbejnë për debat e vendime më të mira, duke ruajtur aftësinë për t’u marrë vesh për çështjet nga të cilat varet e ardhmja e Republikës.
Presidentes Justina Shiroka Pula i shpreha urimet e mia të sinqerta dhe gatishmërinë për bashkëpunim institucional. Suksesi në përmbushjen e përgjegjësive të saj do t’i shërbejë Kosovës, forcimit të pozitës së saj ndërkombëtare dhe besimit të qytetarëve në shtetin e tyre.

