Gjermania nuk e lë vetëm Kievin: Merz kërkon vazhdimin e përkrahjes për Ukrainën
Kancelari gjerman Friedrich Merz riktheu në vëmendje nevojën për të mos e lënë vetëm Ukrainën dhe popullin e saj në përballjen ushtarake me Rusinë.
Gjatë fjalës së tij në Kongresin e Organizatës Rinore të Bllokut Konservator CDU/CSU në Berlin, kreu i qeverisë gjermane theksoi se Berlin zyrtar do të vijojë ndihmën ndaj Kievit, duke e konsideruar këtë një përpjekje për të mbrojtur jo vetëm integritetin territorial të Ukrainës, por edhe vetë themelet e demokracisë dhe vlerave perëndimore ndaj ndërhyrjeve ruse.
“Ne nuk duhet ta lëmë këtë vend dhe popullin e tij të përballen të vetëm me situatën. Dhe nuk do ta bëjmë këtë”, tha ai.
Në të njëjtën kohë, Merz u ndal te politika e brendshme, duke kritikuar ashpër partitë e ekstremit të djathtë (AfD) dhe të majtë (Die Linke) për relativizimin e rrezikut që kanoset nga Moska.
Që nga nisja e konfliktit në shkurt të vitit 2022, Gjermania është radhitur ndër kontribuuesit kryesorë ushtarakë dhe financiarë në mbështetje të Ukrainës, përfshirë furnizimin me armatime moderne dhe zbatimin e sanksioneve gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë.
“Ajo që po shohim aktualisht nga Rusia nuk është thjesht vënie në pikëpyetje e integritetit territorial të Ukrainës, ajo që po shohim nga Rusia është minimi i përditshëm i demokracisë sonë, i vlerave tona dhe i mënyrës sonë të jetesës. Dhe ne po i kundërpërgjigjemi kësaj tani”, u shpreh Merz.

