“Nuk kam asgjë personale me Trump”, Zelensky për CNN: Lehtësimi i sanksioneve do t’a fuqizonte Putinin
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaron se mosmarrëveshjet me Donald Trump nuk janë personale, por paralajmëron se çdo lehtësim i sanksioneve ndaj Rusisë do ta forconte Vladimir Putinin dhe do të rrezikonte përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Në një intervistë për CNN nga Kievi, Zelensky foli për përkeqësimin e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Kievit, duke theksuar se presidenti rus nuk ka ndërmend të ndalë luftën.
“Qëndrimi im ndaj Putinit është shumë i qartë. Mendoj se nëse heqim sanksionet, do t’a bëjmë atë më të fortë. Nuk është diçka personale mes meje dhe Presidentit Trump dhe natyrisht, unë jam kundër çdo lehtësimi të sanksioneve”, deklaroi Zelensky.
Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Ukrainës janë tensionuar ndjeshëm javët e fundit. Zelensky e kishte kritikuar më herët Trumpin, duke e akuzuar se ishte “në anën e gabuar të historisë”, pas njoftimit për një marrëveshje për blerjen e karburantit rus. Më pas, Trump lehtësoi disa sanksione ndaj Rusisë, duke nxitur kritika edhe nga anëtarë të partisë së tij.
Ndërkohë, kufizimet në shërbimin satelitor Starlink, të drejtuar nga kompania SpaceX e Elon Musk, si dhe vonesat në furnizimet me armë, kanë shtuar shqetësimet në Kiev.
Intervista u zhvillua në një moment kur administrata amerikane po intensifikon përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, e cila, sipas raportimit, ka hyrë në vitin e saj të pestë.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, zhvilloi një takim 3 orësh me Vladimir Putinin në Shën Petersburg, ndërsa një ditë më parë ishte takuar me Zelenskyn në Norvegji.
Pas takimit me Witkoffin, presidenti rus pranoi zhvillimin e bisedimeve në nëntor, por pa dhënë shumë hollësi konkrete. Zelensky e cilësoi takimin e tij në Oslo si produktiv, por shprehu dyshime për gatishmërinë e Putinit për paqe.
“Putini po luan, e dini, ai është një lojtar. Është për të ardhur keq, sepse ai luan me jetët e njerëzve të tjerë dhe, natyrisht, nuk dëshiron ta ndalë luftën”, tha presidenti ukrainas.
Ai u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të mos lejojnë forcimin e mëtejshëm të Rusisë.
Nga ana tjetër, Trump deklaroi se administrata e tij është më pranë se kurrë arritjes së një marrëveshjeje për përfundimin e luftës. Megjithatë, Rusia ndërmori një sulm të ri gjatë natës, duke lëshuar qindra dronë dhe raketa balistike drejt Ukrainës.
Zelensky la të kuptohet se Ukraina mund të shqyrtojë ngrirjen e vijave aktuale të frontit si një mënyrë për të arritur armëpushimin dhe për të nisur negociatat.
“Ndërprerja e zjarrit, ndalimi i vrasjeve, ulja në tryezë dhe bisedimet”, tha ai, duke përshkruar një rrugë të mundshme drejt paqes.
Megjithatë, presidenti ukrainas e bëri të qartë se dorëzimi i territoreve ndaj Rusisë nuk është një opsion i pranueshëm për Kievin.
“Vendi ynë është shumë i rëndësishëm, sepse bëhet fjalë për njerëzit. Nuk bëhet fjalë për kilometra. Shumë njerëz kanë vdekur duke mbrojtur këtë tokë, pavarësinë dhe vendin tonë”, theksoi Zelensky.
Ai shtoi se askush nuk do t’i njohë territoret e pushtuara përkohësisht si pjesë të Rusisë.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se mosmarrëveshjet kryesore në negociata lidhen me të ardhmen e pjesës së mbetur të Donbasit, rajonit lindor të Ukrainës që kontrollohet kryesisht nga forcat ruse.
Një tjetër shqetësim madhor për Kievin mbetet mungesa e raketave interceptuese për të neutralizuar sulmet ruse. Zelensky konfirmoi se shkëmbimi i informacionit të inteligjencës me SHBA-në është rikthyer, pasi Ukraina kishte ngritur shqetësime për kufizimet e vendosura nga pala amerikane. Megjithatë, shërbimi ushtarak satelitor Starshield, i kompanisë SpaceX, ende nuk është rikthyer plotësisht në funksion.
Sipas presidentit ukrainas, edhe pse aleatët evropianë kanë furnizuar Ukrainën me disa raketa për mbrojtjen ajrore, sasia mbetet e pamjaftueshme.
Në përfundim të intervistës, Zelensky përmblodhi dy kërkesat kryesore të Ukrainës ndaj partnerëve ndërkombëtarë: të mos lehtësojnë sanksionet ndaj Putinit dhe të sigurojnë raketa më të avancuara për mbrojtjen e vendit.
“Të mos i heqin sanksionet Putinit dhe të na japin raketa më të mira”, deklaroi presidenti ukrainas.

