UNT nënshkruan memorandume bashkëpunimi me tre universitetet më të njohura të Turqisë
UNT DHE UNIVERSITETI KİRKLAR ELİ NËNSHKRUAJNË MEMORANDUM MIRËKUPTIMI PËR BASHKËPUNIM AKADEMIK DHE SHKENCOR
Shkup, 06.11.2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe Universiteti Kırklareli nga Turqia kanë zyrtarizuar bashkëpunimin e tyre ndërinstitucional përmes nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit. Dokumenti zyrtar u nënshkrua nga rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, dhe rektorja e Universitetit Kırklareli, Prof. Dr. Rengin Ak.
Ky memorandum synon vendosjen e një partneriteti të qëndrueshëm dhe afatgjatë midis dy institucioneve të arsimit të lartë, me qëllim zhvillimin e programeve të përbashkëta studimore, kërkimore dhe akademike. Bashkëpunimi do të përfshijë shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, organizimin e konferencave shkencore, simpoziumeve dhe botimeve të përbashkëta, si dhe zbatimin e projekteve kërkimore me interes të ndërsjellë në nivelin e studimeve baçelor, master dhe doktoraturë.
Në këtë takim zyrtar, rektori Prof. Dr. Bekim Fetaji shoqërohej nga delegacioni i UNT-së i përbërë nga prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Sani Demiri, prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Diturije Ismaili, si dhe profesoresha Prof. Inor. Dr. Elisabeta Bajrami Ollogu.
Ndërkaq, rektorja e Universitetit Kırklareli, Prof. Dr. Rengin Ak, shoqërohej nga koordinatorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Berna Ak Bingül.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e të dy universiteteve shprehën përkushtimin e tyre të plotë për jetësimin e objektivave të këtij memorandumi, duke e vlerësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të diplomacisë akademike dhe zgjerimit të rrjetit të bashkëpunimit ndërkombëtar në rajon e më gjerë.
BASHKËPUNIM AKADEMIK NDËRKOMBËTAR MES UNIVERSITETIT “NËNË TEREZA” NË SHKUP DHE UNIVERSITETIT TË SHKENCAVE SOCIALE TË ANKARASË (ASBÜ)
Ankara/Shkup, Nëntor 2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe Universiteti i Shkencave Sociale të Ankarasë – Ankara Sosyal Bilimler Üniversitesi (ASBÜ) kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi, me qëllim forcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit akademik.
Marrëveshja për zhvillimin e bashkëpunimit akademik dhe shkencor ndërmjet dy universiteteve u nënshkrua nga Prof. Dr. Bekim Fetaji nga UNT dhe Prof. Dr. Yasin Söyler nga ASBÜ.
Memorandumi synon të rrisë ndërveprimin dhe bashkëpunimin mes studentëve të nivelit universitar dhe pasuniversitar, studiuesve, si dhe stafit akademik e administrativ në fushën e arsimit, kërkimit dhe veprimtarive mësimore.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi parashikohen:
-Mobiliteti i studentëve dhe stafit: Mbështetja e mobilitetit afatshkurtër dhe afatgjatë të studentëve, stafit akademik dhe administrativ.
-Njohja akademike: Njohja reciproke e arritjeve akademike të realizuara jashtë vendit.
Shkëmbimi i burimeve: Shkëmbimi i njohurive shkencore, publikimeve dhe materialeve mësimore.
-Ngjarje shkencore: Organizimi i përbashkët i konferencave, seminareve, simpoziumeve, punëtorive dhe paneleve akademike me pjesëmarrjen e ekspertëve nga të dy institucionet.
-Projekte të përbashkëta: Zhvillimi i kërkimeve shkencore, përgatitja dhe aplikimi i propozimeve kërkimore, si dhe pjesëmarrja në projekte ndërkombëtare (përfshirë programet Erasmus+ dhe Horizon Europe).
-Marrëdhënie institucionale: Forcimi i bashkëpunimit përmes vizitave reciproke, zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare akademike dhe krijimit të mundësive të reja për praktika profesionale për studentët.
Ky memorandum përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit, shkëmbimit të dijes dhe ndërtimit të urave të reja të bashkëpunimit akademik mes dy institucioneve.
NËNSHKRUHET MEMORANDUM BASHKËPUNIMI MES UNT-SË DHE ANKARA YILDIRIM BEYAZIT ÜNİVERSİTESİ
Ankara/Shkup, 05.11.2026 – Gjatë vizitës zyrtare në Ankara, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, i shoqëruar nga prorektori për Financa, Prof. Inor. Dr. Bujamin Bela, patën kënaqësinë të nënshkruajnë Memorandumin e Bashkëpunimit me Ankara Yıldırım Beyazıt Üniversitesi.
Ky bashkëpunim do të hapë mundësi të reja për shkëmbimin e stafit akademik dhe administrativ, ndarjen e përvojave dhe praktikave më të mira, bashkëpunimin në fushën e inovacionit dhe teknoparqeve, organizimin e konferencave e simpoziumeve ndërkombëtare, si dhe pjesëmarrjen e përbashkët në projekte shkencore përmes programeve Erasmus+ dhe Horizon Europe.
”Besoj fuqishëm se ky bashkëpunim ndërmjet universiteteve tona do të krijojë mundësi konkrete për zhvillim, ndërkombëtarizim dhe projekte të përbashkëta në të ardhmen. Bashkëpunimi akademik nuk njeh kufij, por ndërton ura të forta mes njerëzve, ideve dhe institucioneve”, deklaroi me këtë rast Rektori Fetaji.
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup vazhdon me përkushtim zgjerimin e rrjetit të partneriteteve ndërkombëtare në shërbim të studentëve dhe stafit akademik.

