Premisat e kritikës konstruktive
(Sprovë për një vështrim më të plotë…)
Nga, Abdulla Mehmeti
Shumica e njerëzve që i njoh mirë, pa e përjashtuar as vetveten, nuk kanë përherë të drejtë t’i kritikojnë të tjerët për punët dhe veprimet e tyre. Shumica e këtyre individëve, sa herë që u është dhënë mundësia janë treguar të dobët, të papërgjegjshëm, të padenjë dhe të pasinqertë, dhe si të tillë, të paaftë, joefikas dhe të padobishëm në nxitjen dhe orientimin e proceseve të reja, menaxhimin e situatave të përshtatshme për ndryshime dhe reforma, përmirësimin e gjendjes në institucione, projekte, aktivitete dhe veprimtari të ndryshme.
Gjatë gjithë historisë së njerëzimit, individë me prirje dhe ambicie të tepruara, e kanë vërejtur ashklën në syrin e tjetrit, por nuk e kanë vërejtur djallin duke pëlcitur në syrin e vet. Kjo prirje e kacagjeljes, krekosjes, vetëkënaqësisë dhe vetëmashtrimit, vazhdon edhe sot, në forma dhe mënyra të ndryshme.
Jo që nuk ka kush të kritikohet dhe pse të kritikohet sot. Ka shumë arsye për t’i kritikuar të tjerët, sidomos ata që janë në pushtet, për punët dhe veprimet e tyre të mbrapshta, për veprimet e liga e të pahijeshme, për dështimet dhe mossukseset, për paaftësitë dhe keqpërdorimet, për nepotizmin, hajnitë, korrupsionin dhe krimet, me të cilat jo që e kanë tepruar, por e kanë mbushur kupën tejmase. Megjithatë, kritika më e mirë, konstruktive dhe e dobishme, është puna, veprat, sjellja, shembujt e mirë, veprimet konkrete për tejkalimin e situatave dhe ndryshimin e gjendjes ekzistuese, kur proceset vërtet kanë nevojë për kahe dhe orientim tjetër, të drejtë e të mbarë, për arritjen e një qëllimi, përmbushjen e një obligimi shoqëror, realizimin e një ideali.
Nga e gjithë kjo delin vetvetiu disa porosi të dobishme:
1. Mos i kritikoni të tjerët para se të ndërmerrni veprime konkrete për ndryshimin e gjendjes të cilën e kanë krijuar ata që ju i kritikoni.
2. Konktrolloni emocionet tuaja, ndoshta i keni ngatërruar faktorët që kanë ndikuar në krijimin e problemit që ju preokupon, dhe në vend se ta trajtoni atë, çështjen thelbësore, vardiseni t’i kritikoni subjektet ose individët, të cilët ndoshta rastësisht janë gjendur brenda atij problemi në një kohë të caktuar.
3. Mos kritikoni vetëm individët, mos i luftoni vetëm ata, mos shpenzoni kohë dhe energji për t’i ndryshuar, por kritikoni, luftoni dhe përpiquni t’i ndryshoni SISTEMET, sepse ato u krijojnë kushte dhe rrethana të përshtatshme individëve të caktuar për punët dhe veprimet e tyre të pahijeshme, të padrejta, të pandershme, johumane dhe të kundërligjshme.
Dhe të mos harrojmë: zogut që i pengon çdo puhizë, asnjëherë nuk i jepet rasti të fluturojë i lirë!