Maqedoni

Sela: Kauza jonë nuk përfundoi me rrëzimin e Gruevskit, por vazhdon deri tek anëtarësimi i vendit në NATO dhe BE!

Shpërndaje

Ziadin Sela, lideri i opozitës shqiptare sot ka dhënë intervistë për Radio Televizionin e Kosovës. Ai ka folur rreth përfundimit të zgjedhjeve Presidenciale, si dhe zhvillimit të ri politik që po ndodh në Maqedoninë e Veriut. Ai tha se në situatat politike, Zoran Zaev ka dështuar. Ziadin Sela rrëzimin e Qeverisë së kaluar nuk e quajti kauzë, sepse sipas tij kjo kauzë vazhdon deri tek anëtarësimi i vendit në BE dhe NATO. Ai gjithashtu tha se regjimi i kaluar është prezent tek Qeveria e Zoran Zaev, dhe funskionarë të kaluarës janë përsëri funksionarë të Qeverisë së tanishme.

Pritja e qytetarëve, ishin reformat për drejtësi, sot nuk e kemi, pritja për Prokurorinë Speciale, sot e njëjta është pa mandat, dhe këtë nuk e kemi. Pritja për drejtësi për 27Prillin nuk e kemi, sepse deputetët e inkuadruar në atë regjim u amnistuan. Plaga e migrimit po merr akoma hov, dhe nuk shohim asnjë politikë që të ndalet migrimi i shqiptarëve, sepse çdo ditë po zbrasen shkollat dhe shtëpitë. Andaj këto pak a shumë ishin rezultatet e rundit të parë që e dënuan kryeministrin Zoran Zaev. – deklaroi Ziadin Sela

Ai ka folur edhe për rastin e Kumanovës, që lidhet ngushtë me politikën e Kosovës. Ai tha se organizatorët ende nuk dihen, përfliten disa edhe politikanë por asnjë hetim deri tani nuk ka për ato. Ai edhe rastin e Almirit të vogël e përmendi si një drejtësi selektive, ku dështoi drejtësia. Gjithashtu në kritikat e Selës nuk mungoi as rasti i Fetah Alimit, që sipas tij është presion personal ndaj atij dhe politikave të tij.