Maqedoni

ASH: Vullneti i mirë i KE-së nuk mund të rregullojë strategjinë vetëshkatërruese të qeverisë LSDM-BDI

Shpërndaje

Paketa e zgjerimit 2019: vullneti i mirë i Komisionit Evropian nuk mund të rregullojë strategjinë vetëshkatërruese të qeverisë SDSM-BDI

Aleanca për Shqiptarët e mirëpret rekomandimin e Komisionit Evropian për të hapur negociata për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, duke theksuar megjithatë se kjo nuk përbën ndonjë përparim të madh që duhet të kremtohet nga koalicioni qeverisës SDSM-BDI.

Së pari, siç theksohet me të drejtë në raportin e progresit 2019, Komisioni Evropian që nga viti 2009 vazhdimisht i ka rekomanduar Këshillit të BE-së hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Dhe së dyti, pavarësisht nga toni i tij tepër pozitiv, raporti i progresit 2019 nuk arrinë të dëshmojë ndonjë rezultat të prekshëm rreth kushteve të vendosura në konkluzionet e Këshillit të qershorit 2018.

Kur të takohen në samitin evropian të qershorit 2019, liderët e BE-së do të vendosin nëse do të hapin negociata për anëtarësimin e Maqedonisë e Veriut përkundër sfondit në vijim:

i) Përgjegjësia për sulmin ndaj Parlamentit të 27 prillit 2017. Me Nikolla Gruevskin i cili shetit i lirë në një shtet anëtar të BE dhe me Trajko Veljanovski dhe pesë deputetët tjerë që organizuan sulmin terrorist ende në detyrë, koalicioni SDSM-BDI e ka mohuar përgjegjësinë politike. Më keq se kaq, i gjithë procesi është bërë një farsë absolute me dënimin e të pafajshmit Abdulfetah Alimi.

ii) Reformat gjyqësore dhe dënimet përfundimtare në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë nivelin e lartë dhe abuzimet e zbuluara nga përgjimet e vitit 2015.
Raporti i progresit me të drejtë vë në dukje se korrupsioni është i përhapur në shumë fusha dhe mbetet një çështje shqetësuese. Pavarësia e gjyqësorit nuk respektohet dhe ndërhyrja politike në të mbetet problem i theksuar. Kur bëhet fjalë për dënimet përfundimtare për abuzimet e zbuluara nga përgjimet e vitit 2015, raporti i progresit i referohet dënimit të Nikolla Gruevskit i cili bën turizëm në Budapest dhe Sasho Mijallkovit i cili po shijon komoditetin e Hotel Marriot në Shkup. Me projektligjin për statusin e ardhshëm dhe kompetencat e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), ekziston një rrezik i qartë i amnistisë së përgjithshme që do të lejohej nga politizimi i pasardhësit të PSP, të cilit do t’i hiqen aktakuazat e ngritura pas 30 qershorit 2017 dhe nuk do t’i lejohet të përdorë materialet e përgjimive si dëshmi në procese.

iii) Reformimi i shërbimeve të inteligjencës dhe të sigurisë. Siç është thënë nga Aleanca për Shqiptarët në shumë raste, reformimi i Administratës për Siguri dhe Kundërzbulim në një Agjenci të Sigurisë Kombëtare ka ngritur dy shqetësime të mëdha. Së pari, emërimi i drejtorit të saj në diskrecionin të Kryeministrit ngre dilema në lidhje me kontrollin dhe balancat. Së dyti, reforma nuk parasheh një proces të mirëfilltê të verifikimit të agjentëve për të eleminuar ndikimet nga epoka e Jugosllavisë dhe e Gruevskit, si dhe nga fuqitë e huaja, si elemente kyçe që duhet adresuar para se Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e NATO-s.

iv) Reforma e administratës publike. Raporti i progresit thekson se koalicioni qeverisës ka përdorur masivisht emërimet afatshkurtra dhe shkelur në mënyrë konsistente parimin e rekrutimit të bazuar në meritë në administratën publike. Aleanca për Shqiptarët ka theksuar vazhdimisht se administrata është kapur nga koalicioni qeverisës dhe po përdoret si makinë votimi.

Dështimi i pushtetit SDSM-BDI për të ofruar reforma të prekshme dhe rikthyer besimin në institucionet shtetërore është sanksionuar dy herë nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut, një herë në referendumin e 30 shtatorit 2018 dhe pastaj përsëri në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale të 21 prillit 2019 .

Tani ekziston një rrezik real që mosveprimi i qeverisë do të sanksionohet nga udhëheqësit e BE-së, në një kontekst të rritjes së ndjenjave anti-zgjerim në vendet anëtare të BE-së që shpjegoi vendimin e KE-së për të shtyrë publikimin e paketës së zgjerimit deri pas zgjedhjeve evropiane.

Dështimi i pushtetit SDSM-BDI për t’i hapur negociatat për anëtarësim këtë verë duhet të hapë rrugën për krijimin e një qeverie teknike për të përgatitur vendin për zgjedhje të parakohshme, si parakusht për krijimin e një koalicioni vërtet reformist i cili ka fuqinë dhe vullnetin politik për të materializuar perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut.