Zgjedhjet lokale në Stamboll, voton Ekrem İmamoğlu
Kandidati i Partisë Popullore Republikane (CHP), Ekrem İmamoğlu, ka realizuar votën e tij në distriktin Beylikdüzü të Stambollit në zgjedhjet për kryebashkiakun e Stambollit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai në vendvotimin arriti i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Dilek İmamoğlu dhe biri i tij Mehmet Selim İmamoğlu.
Në deklaratën e tij pas votimit, ai tha se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për Turqinë dhe Stambollin. “Pres rezultate shumë të mira”, tha İmamoğlu në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve të sotme.
YSK ka njoftuar se numri i përgjithshëm i votuesve që deri në orën 17:00 sipas kohës lokale do të kenë mundësi të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike gjatë zgjedhjeve të sotme është 10.560.963 në gjithsej 31.342 kuti votimi në 39 rrethe të qytetit.
Në zgjedhjet e 31 marsit garuan 32 kandidatë, prej të cilëve 24 të pavarur, ndërkohë që në votimin e përsëritur do të ketë vetëm 21 kandidatë, përfshirë kandidatët nga AK Partisë, CHP-së, Partisë Saadet dhe Partisë Vatan, së bashku me 17 kandidatë të tjerë të pavarur.
Sipas YSK-së, përsëritja e zgjedhjeve në Stamboll u vendos pasi rreth 30.281 vota në 108 kuti u shpallën të pavlefshme për shkak se fletët e numërimit të votave nuk ishin të nënshkruara ose mungonin.
Gjithashtu, në 754 qendra votimi në zgjedhjet e 31 marsit në Stamboll u zbulua të jenë angazhuar komisionerë të cilët nuk kanë qenë shërbyes civilë.
Më 31 mars, pjesëmarrja në votime ishte 83,88 për qind, gjashtë për qind më pak se në zgjedhjet e mëparshme lokale të 30 marsit të vitit 2014.
Sipas rezultateve zyrtare të YSK-së, në zgjedhjet e 31 marsit İmamoğlu mori 48,8 për qind të votave në Stamboll, ndërsa Yıldırım 48,55 për qind.
Ndërkaq, AK Parti fitoi 24 komuna të rretheve të metropolit turk, ndërsa CHP 14.