Rajoni

Komuna e Ramiz Lladrovcit e nxjerr nga banesa familjen e dëshmorit

Shpërndaje

Përveç orendive dhe gjësendeve shtëpiake, familja e Minire Saliuku nga Drenasi brenda 7 ditëve duhet t’u gjejë vend tjetër edhe shumë certifikatave e mirënjohjeve të lëshuara për burrin e saj dëshmor, Mehmetin.

Minire Saliuku ka marrë një njoftim nga komuna e Drenasit që për një javë ta lirojë banesën të cilën është duke e shfrytëzuar tash e pesë vjet.

Komuna, në vendimin për lirim të banesës ka thënë se ajo është “e uzurpuar”.

Minirja, që në këtë banesë jeton me vajzën dhe djalin, ankohet se nuk ka ku të shkojë.

“Qe pesë vjet jetoj në këtë banesë e tash komuna po më quan uzurpuese të banesës a në fakt vetë mi kanë dhanë çelësat kam hy në këtë banesë, për çfarë arsyeje donë me m‘largu këta e dinë po unë jam gru e dëshmorit, nënë e invalidit, çikën e kam të plagosur më 13 prill 1999 kurrkush s’ka pasë kujdes për këtë familje, nashta për asnjë familje të dëshmorit, por të paktën për timen hiç”, u shpreh Saliuku.

E hëna e ardhshme shënon fundin e afatit brenda të cilit ajo duhet ta lirojë banesën.

“Brenda shtatë ditësh me liru banesën, ku kam me shku une, të paktën të ma kishin ba një zgjidhje me m’thanë liro këtë banesë ta kem mundësu nja tjetër ish kanë ma lehtësim për mu po pa kurrfarë zgjidhje më kanë thanë merri edhe dil prej banese”, tha ajo.

Në lidhje me rastin e Minire Saliukut, KALLXO.com ka provuar të kontaktojë të parin e komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcin por ai nuk ka pranuar të prononcohet.

Ndërkaq në komunikatën e lëshuar nga Komuna kanë thënë se ky vendim është ka të bëjë më lirimin e 14 vendbanimeve të uzurpuara. Mirëpo, ata nuk kanë ofruar asnjë zgjidhje për familjet të cilat priten të mbeten pa kulm mbi kokë.

“Pronat/banesat që i ka dhënë Kuvendi Komunal vite me parë për shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, është duke u zhvilluar një hetim nga Njësia për Krime Ekonomike dhe Korrupsion të Prokuroria e Shtetit. Arsyeja e hetimit qëndron se ato vendime që janë marrë nga Kuvendi i Komunës nuk i janë nënshtruar procedurës së ligjshmërisë nga ana e MAPL, ashtu siç e parasheh Ligji”, thuhet në njoftim./kallxo.com

VIDEO