Maqedoni

Qeveria “harron” premtimet për “Shkupin 2014″

Shpërndaje

“Shkupi 2014” nuk ka pësuar asnjë ndryshim edhe pas ndërrimit të pushtetit në Maqedoninë e Veriut, dy vjet më parë.

Lidhja Social-Demokrate e kryeministrit Zoran Zaev, derisa ishte në opozitë para dy vjetësh e gjysmë, një nga premtimet kryesore kishte revidimin e apo largimin e shumë përmendoreve të ngritura nga Qeveria e VMRO DPMNE-së, partisë së djathtë nacionaliste të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

Hetime të tejzgjatura për keqpërdorim të parasë publike
Pas ardhjes në pushtet, Qeveria ka formuar një komision për shqyrtimin e këtij projekti që ka kushtuar qindra miliona euro, por sipas drejtuesve të komisionit, deri më tani asnjë nga rekomandimet që parasheh prishjen e ndërtimeve ku janë konstatuar parregullsi, nuk është zbatuar.

“Ne kemi dorëzuar elaboratet me të gjitha dëshmitë për shkeljen e procedurave ligjore. Për përmendoret më problematike kemi kërkuar demontimin e tyre, por për fat të keq, deri tani nuk është ndërmarrë asgjë dhe kjo është për të ardhur keq pasi kjo tregon se ende jemi të robëruar, jo nga ata që i kanë ngritur, por nga pafuqia jonë për t’i larguar”.

“Qytetarët duan që një ditë kur të ngrihen, të shohin hapësirat e uzurpuara, të pastruara nga përmendoret fashiste dhe derisa këtë nuk e bëjmë, ne nuk kemi bërë asgjë”, thotë Miroslav Gërçev, arkitekt, drejtues i komisionit për vlerësimin e projektit “Shkupi 2014”.

Nga Qeveria kanë thënë se ky rast “nuk është lënë në harresë, por se pas mbylljes së punës së Komisionit dhe dorëzimit të të gjitha elaborateve, ekzekutivi do t’i angazhojë të gjitha organet që të veprojnë në përputhje me udhëzimet.

“Është një proces i ndjeshëm dhe duhet mirë të analizohet nga institucionet përkatëse”, kanë deklaruar nga Qeveria.

Por, disa nga ekspertët e kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se Qeveria me mosndërmarrjen e asnjë veprimi, “po i jep jetë këtij projekti kundërthënës”, e që sipas profesorit të historisë, Vehbi Xhemaili, njohës i çështjeve politike, po shërben si instrument për ruajtjen e popullaritetit, ngjashëm siç ka bërë edhe Qeveria e kaluar.

“Si duket edhe kjo Qeveria e re, edhe pse premtoi shumë, përsëri vazhdon me avazin e vjetër. Premtimet parazgjedhore nuk është duke i mbajtur, po i zvarrit punët, dhe kjo shihet me përmendoret e projektit ‘Shkupi 2014’, me ndihmën e së cilave edhe erdhi në pushtet. Por, tani po vazhdon me politikën e Qeverisë së vjetër duke dashur të ruajë autoritetin e saj, duke thënë se disa ndoshta janë të pavlefshme, por disa duhet të ruhen, prandaj edhe nuk i prish”, thotë Xhemaili.

Ai thekson se shumë nga përmendoret që janë vendosur, nuk i sjellin asgjë të mirë vendin pasi krijojnë ndasi jo vetëm brenda shtetit, por edhe jashtë, pasi ka disa të tilla që kontestohen nga shtetet fqinje, siç është rasti me përmendoren e Aleksandrit të Madh, që grekët e konsiderojnë të tyrin apo ajo e Goce Dellcevit që bullgarët gjithashtu thonë se është i tyri.

“Unë mendoj se disa përmendore historikisht nuk e kanë vendin aty, e dëmtojnë edhe bashkëjetesën, por edhe qytetërimin në Shkup dhe më gjerë pasi shumica nuk kanë orgjinë autoktone, por janë të importuara nga shtetet fqinje. Unë mendoj se do të ishte mirë që kjo politikë e re të vendosë njëherë e përgjithmonë që këto përmendore të hiqen pasi nuk e kanë vendin në mes të Shkupit”, thotë historiani Xhemaili.

Përmendoret dhe shumë ndërtime tjera në stilin barok në kuadër të “Shkupi 2014” ishte projektuar në vitin 2006, por ndërtimet kanë vazhduar edhe pas vitit 2014, me vendosjen e më shumë se 100 përmendoreve e statujave të ndryshme, që kanë kushtuar në rreth gjysmë miliardë euro.

Partitë shqiptare, ndërkohë, nuk kanë arritur të parandalojnë këtë projekt, por as të përfshijnë elementin shqiptar në kuadër të këtij projekti. Në vend të kësaj ato në vazhdimësi kanë akuzuar njëra -tjetrën se cila prej tyre më shumë e ka ndihmuar apo ka qenë e paaftë për të parandaluar ngritjen e tij projekti shumë të kritikuar në opinion./alsat