Rajoni

Mbyllen dy qendra masazhi në Ferizaj

Shpërndaje

Inspektorati i Komunës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pas një pune hetimore kanë mbyllur dy qendra masazhi në Ferizaj, me dyshimin e bazuar për mundësimin e zhvillimit të prostitucionit, me ç’rast janë arrestuar tre persona.

Sipas komunës së Ferizajt, ky aksion i përbashkët i forcave të rendit dhe Inspektoratit të Komunës ka ardhur si rrjedhojë e vëzhgimeve nga afër të këtyre lokale nga organet e rendit, me dyshimin se po zhvillohej veprimtari e paligjshme.

“Lokalet e mbyllara gjendeshin në zonën prapa Gjimnazit të Shkencave Shoqërore “Dr. Shaban Hashani” dhe në rrugën “Kemajl Hetemi” kurse të arrestuarit përkitazi me këtë rast me vendim të prokurorit janë në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim.

Ridvan Berisha, kryeinspektor i Inspektoratit të Ferizajt tha se bashkëpunimi me Policinë e Kosovës dhe vigjilenca e inspektorëve komunal po jep rezultate domethënëse për jetën, sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve.