Maqedoni

Takimi i Kasamit dhe Mickoskit, dakordohen për nevojën e zgjedhjeve të parakohëshme

Shpërndaje

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami sot ka pasur takim formal me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në restorantin Pelister në qendër të Shkupit.

Nga Lëvizja BESA përmes një komunikate me shkrim njoftojnë se në takim është biseduar për situatën e përgjithshme në vend dhe se të dy liderët janë dakorduar se Qeveria e tanishme nuk ka kapacitet të udhëheqë procesin e rëndësishëm të eurointegrimeve.

“Kryetari i Lëvizjes BESA Bilall Kasami i shoqëruar nga sekretari gjeneral Arjanit Hoxha realizoi takim me kryetarin e VMRO DPMNE Hristijan Mickoski të cilin e shoqëronte sekretari i partisë Igor Janushev. Në takim u bisedua për ngjarjet politike në vend si dhe për situatën e përgjithshme sociale-ekonomike në shtet. Dy subjektet politike u dakorduan që Qeveria aktuale nuk ka kapacitet ta udhëheq procesin e rëndësishëm të euro integrimeve, për atë shkak më se e nevojshme është organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Dy palët u dakorduan që takime të këtilla publike të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes BESA.

Edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski përmes një postimi në rrjetin social Facebook njofton se ka pasur takim me kreun e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.

Mickoski shkruan se gjatë takimit është konstatuar se Qeveria aktuale i ka bllokuar proceset integruese që duhet të dinamizohen me reforma të mirëfillta që deri më tani nuk janë realizuar.