Bërns: SHBA-ja përkrah hetim themelor, të shpejtë dhe transparent në të gjitha rastet me korrupsion
SHBA-ja përkrah hetim themelor, të shpejtë dhe transparent në të gjitha rastet ku ekzistojnë elemente për korrupsion dhe keqpërdorim të funksionit. Është jashtëzakonisht me rëndësi, në çdo rast, që ata individë të thirren në përgjegjësi, e Qeveria të ndërmarrë veprime. I çmojmë dhe i përshëndesim hapat që i ndërmerr Qeveria për pengimin e korrupsionit dhe në luftën kundër mosndëshkimit.
Këtë në intervistën e sotme për televizionin Alsat M, të parën pas hyrjes së saj në funksion, e deklaroi ambasadorja amerikane në vend, Kejt Bërns.
“Ne do të vazhdojmë ta nxisim kryeministrin Zaev që të kërkojë përgjegjësi nga të gjithë përfaqësuesit qeveritarë dhe të garantojë se pa marrë parasysh nivelin e funksionit, njerëzit duhet të kenë besim në institucionet qeveritare dhe atë që ata munden ta bëjnë për ta”, tha ambasadorja e SHBA-së.
Bërns thekson se SHBA-ja i ndjek ngjarjet aktuale dhe e përkrahin prokurori të fuqishme, të pavarur dhe se është me rëndësi të ruhen kapacitetet e Prokurorisë së posaçme.
“Kjo do t’u jep sinjal të qartë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe bashkësisë ndërkombëtare se Maqedonia e Veriut është tërësisht e përkushtuar në avancimin e sundimit të së drejtës. Po ashtu, kjo është arritje e shkëlqyer për procesin e qasjes në NATO dhe në BE”, nënvizoi Bërns.
Lidhur me anëtarësimin në NATO, Bërns thotë se SHBA-0ja me padurim pret që t’i dëshirojnë mirëseardhje Maqedonisë së Veriut si anëtare e 30-të e Aleancës në fund të vitit.
“Edhe si aleatë, presim që partneriteti ynë edhe më shumë të përforcohet, lidhur me angazhimin tonë të përbashkët për paqe, siguri dhe prosperitet në këtë rajon dhe më gjerë. Me të vërtetë nuk ka lidhje më të fuqishme se kjo. Do të thotë, paraqet nder për mua që të udhëheq misionin e SHBA-së në kohë, e cila, besoj, do të sjell ndryshime pozitive”, tha Bërns.
Ajo thekson se do të ketë tre prioritete gjatë mandatit të saj.
“Do të kem tre prioritete. I pari është ta promovoj stabilitetin përmes institucioneve të fuqishme dhe të vazhdoj t’i përkrah përpjekjet e mëtejshme të Qeverisë për reforma dhe për përforcimin e sundimit të së drejtës. I dyti, do të jem e përkushtuar në përkrahjen e përparimit përmes programeve tona për ndihmë, si dhe përmes partneritetit me sektorin privat. Prioriteti i tretë, gjithsesi, është rritja e sigurisë sonë të përbashkët përmes bashkëpunimit në sferën e mbrojtjes”, thotë Bërns.
Lidhur me atë në cilën fazë është miratimi i Protokollit në Senatin amerikan për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO, Bërns thotë se SHBA-ja fuqimisht e përkrah anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.
“Kalendari i Senatit të SHBA-së ndoshta është pak i paparashikueshëm, posaçërisht në këtë periudhë të vitit, por shpresojmë se Senati i SHBA-së do të vazhdojë me ratifikimin për NATO këtë verë ose në fillim të vjeshtës. Në të vërtetë, Maqedonia e Veriut u dëshmua si partner stabil në sferën e sigurisë. Ka vullnet kolektiv për përkrahje të sigurisë në rajon dhe veçmë po tregon se do të jetë aleat i fuqishëm në NATO. Në të vërtetë, muajin e kaluar, Maqedonia e Veriut ishte nikoqir i stërvitjes “Goditje vendimtare”, e cila përfundonte kur erdha unë. Kjo stërvitje është shembull i mirë për atë se si vendi i juaj kontribuon për sigurinë e Aleancës. Kjo tregon se ushtarët tanë veçmë punojnë së bashku që të ballafaqohen me kërcënimet e ardhshme. Dhe presim se edhe në të ardhmen do të ketë stërvitje të tilla dhe aktivitete si pjesë e bashkëpunimit tonë të zgjeruar”, tha Bërns.
Në pyetjen nëse pret të ketë dialog politik mes partive politike në vend, thotë se SHBA-ja do të vazhdojë të jetë partner në ato përpjekje si edhe deri tani, dhe do të përkushtohen në bashkëpunimin me të gjitha partitë politike, liderët dhe qytetarët në vend për promovimin e dialogut pozitiv dhe konstruktiv politik.
“Maqedonia e Veriut veçmë kohë të gjatë është partner strategjik. Veçmë 25 vite punojmë që t’i përkrahim aspiratat e Maqedonisë së Veriut që të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së si demokraci stabile, progresive dhe inkluzive. Dhe edhe si çdo demokraci, absolutisht është kritike për liderët politikë t’i përkrahin reformat që qytetarët i dëshirojnë. E presim ndihmës sekretarin e shtetit Filip Riker të vijë në rajon këtë javë, do të jetë në Maqedoninë e Veriut nga fundi i javës, do të takohet me njerëz nga spektri politik, si dhe me qytetarët dhe do t’i dëgjojë mendimet e tyre”, tha ambasadorja e SHBA-së në intervistë për Alsat M. .