Thaçi, Mustafa apo Haradinaj? – cili është kryeministri që qëndroi më së paku në këtë pozitë
Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka publikuar (në maj të vitit 2018) raportin për paqëndrueshmëritë e qeverive në Republikën e Kosovës. Studimi ka trajtuar tri fusha shqetësuese për zhvillimin demokratik të Kosovës: stabilitetin dhe kohëzgjatjen e qeverive, paqëndrueshmërinë zgjedhore dhe kohëzgjatjen e proceseve përfshirë negocimin dhe formimin e koalicioneve qeverisëse pas zgjedhjeve.
“Asnjë qeveri që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 nuk e ka përfunduar asnjë mandat të plotë (4 vjeçar) në detyrë siç parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo ka çuar në shqetësime rreth stabilitetit politik dhe konsolidimit demokratik të Kosovës”, thotë D4D në këtë studim.
Megjithatë, D4D thotë se në kundërshtim me perceptimet e përgjithshme, qeveritë e Kosovës janë relativisht jetëgjata. Në të vërtetë, qeveritë e Kosovës që nga viti 2008 bëjnë pjesë në grupin e qeverive me jetëgjata në krahasim me demokracitë parlamentare evropiane.
“Ngjashëm, paqëndrueshmëria zgjedhore e Kosovës e matur me indeksin Pedersen, ndonëse relativisht e lartë, hyn në kategorinë e demokracive të tjera të Evropës që janë në tranzicion. Siç ndodh në këto raste, është niveli më i ulët i institucionalizimit të sistemit partiak që është kryesisht përgjegjës për ndryshimet e mëdha elektorale viteve të fundit, duke përfshirë suksesin dramatik të disa partive të reja. Për më tepër, gatishmëria gjithnjë në rritje dhe e dukshme e elektoratit të Kosovës për t’i ndëshkuar ata që janë në pushtet kanë bërë që të zbehet mbështetja për dy partitë dominuese në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Kjo është një shenjë e rritjes së pjekurisë demokratike të votuesve kosovarë”, thotë më tej D4D.
Si rezultat, studimi arrin në përfundimin se as jetëgjatësia e shkurtër e qeverive, e as paqëndrueshmëria e dukshme zgjedhore nuk paraqesin kërcënime për konsolidimin e demokracisë së re në Kosovë. Studimi ngre paralajmërime për trendet e përsëritura ndaj krizës politike që kanë pasuar zgjedhjet e vitit 2014 dhe së fundmi ato të vitit 2017.
“Në secilin rast, partitë dhe koalicionet që kanë mungesë të shumicës, por që mbajnë shumicën e vendeve në parlament, kanë bllokuar efektivisht procesin e formimit të qeverisë duke u mbështetur në defekte procedurale të parashikuara në Kushtetutën e Kosovës. Këto defekte qëndrojnë në veçanti në Nenin 67 të Kushtetutës së Kosovës dhe në interpretimin e saj nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës me një aktvendim në vitin 2014. Ky nen e rregullon procedurën me të cilën një Kuvend i sapokrijuar zgjedh kryetarin e Kuvendit pas zgjedhjeve. Meqenëse formimi i qeverisë varet nga aftësia e Kuvendit për të ardhur deri te përbërja e plotë, duke ia dhënë të drejtën e nominimit të Kryetarit të Kuvendit ekskluzivisht partisë me më së shumti vende, Kushtetuta ka paraparë instrumentin për partinë apo koalicionin shumicë për të përmirësuar pozicionin e saj/tij negociues duke pretenduar të drejtën ekskluzive për të formuar qeverinë. Duke treguar se si kjo praktikë qëndron në kundërshtim me praktikat normale demokratike dhe parimet demokratike, raporti nënvizon nevojën për reformë kushtetuese, që do ta ndryshonte nenin 67 qoftë duke i rishikuar rregullat sa i përket mënyrës që do t’ia lejonte cilësdo parti që të nominonte Kryetarin e Kuvendit ose duke e shuar këtë dispozitë tërësisht nga Kushtetuta dhe transferimin e rregullave në rregulloren e brendshme të Kuvendit”, thekson më tej studimi i Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D).
Siç edhe potencohet në këtë studim, kjo do të bënte që procedurat e Kosovës të jenë në përputhje me praktikat në shumicën e demokracive parlamentare të Evropës. Studimi tërheq vëmendjen në nevojën që partitë të bashkëpunojnë për ndërtimin e përbashkët të kulturës demokratike të normave joformale të nevojshme për t’i rregulluar proceset e rëndësishme gjatë tranzicionit të pushtetit.
“Duke qenë se PDK-ja vazhdimisht ka qenë në pushtet që nga pavarësia e Kosovës, Kosova ende nuk ka përjetuar një transfer të plotë të pushtetit ku një parti në pushtet heq dorë nga kontrolli i qeverisë. Studimi tërheq vëmendjen edhe në nevojën për më shumë kapacitete politikëbërëse brenda partive politike për t’i orientuar negociatat mbi formimin e koalicionit drejt qëllimeve programore dhe drejtimeve të politikave, për dallim nga ndarja e plaçkës së pushtetit politik, siç ka qenë trendi në vitet e fundit”, shton ky institut.