Filipçe: Ne e dimë se sa vaksina do të mbërrijnë në shkurt, por kompania kërkoi të mos publikohen detaje
Dihet saktësisht sa doza të vaksinave Fajzer do të mbërrijnë në shkurt, sa në mars dhe sa në prill, por ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha sot se kompania ka kërkuar që të mos publikohen ende detaje.
Në një deklaratë për shtyp dhënë përpara Qendrës emergjente në Shkup, ministri Filipçe tha se javën e kaluar ata patën biseda telefonike intensive me kompaninë dhe shprehën besimin se pason një periudhë e imunizimit të suksesshëm në vend.
“Kompania na ka kërkuar që të mos i publikojmë ende dozat, megjithëse e dimë saktësisht sa doza duhet të arrijnë në shkurt, sa në mars dhe sa në prill. Javën e kaluar kemi pasur biseda të vazhdueshme telefonike, duke shkëmbyer e-mail me kompaninë “Fajzer”dhe mendoj se kjo është një politikë që ata arritën të zbatojnë në mënyrë që të rrisin një pjesë të prodhimit të tyre”, tha Filipçe, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Lidhur me numrin e madh të personelit mjekësor, të cilët janë regjistruar si të papunë, Filipçe informoi se analiza e pjesshme tregon se një pjesë e atij personeli mjekësor janë të punësuar në institucione private të kujdesit shëndetësor, ndërsa disa kanë shkuar jashtë vendit.
“Kështu që në asnjë rast nuk është një numër kaq i madh i stafit mjekësor të papunë”, tha Filipçe.