Rama falenderon Erdoganin: Turqia s’e ndali ndihmën edhe pasi u godit vetë nga tërmeti
Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan priti sot kryeministrin shqiptar Edi Rama për të nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim strategjik mes dy vendeve.
Kryeministri Rama falenderoi popullin turk dhe Presidentin Erdogan që ishin të parët që u gjendën pranë shqiptarëve pas tërmeteve të 2019.
“Falenderoj mikun tim për këtë pritje të paharrueshme. Falenderoj popullin turk për reagimin e menjëhershëm për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti në 2019. Presidenti Erdogan ishte i pari që u angazhua botërisht për t’u përfshirë në procesin e rindërtimit.
Kjo ka qenë shumë domethënëse për ne. Një nga temat e diskutimit ka qenë bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve në luftën kundër armikut të padukshëm. Besoj që sjellja e Republikës së Turqisë ndaj nesh dhe qasja e Presidentit na kujtojnë fjalët e Ataturkut që njerëzimi është një trup i vetëm.
Edhe pse Turqia u godit nga tërmeti, kjo nuk e bëri të ndalet për asnjë moment projekti aspak i vogël që po realizohet me mbështetjen e tij. Vlera më e madhe që shoh në këtë marrëveshje është gadishmëria për të punuar ndërshmërisht sëbashku,” tha Rama.