Rajoni

Albulena Haxhiu: Listës së Vetëvendosjes do t’i prijë Albin Kurti

Shpërndaje

Nënkryetarja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, për Qeverinë Hoti ka thënë se është një rast që do të mbahet mend në historinë e shkeljeve kushtetuese derisa e ka quajtur qeveri e ardhur nga pazari i madh i ish-presidentit Hashim Thaçi derisa ka njoftuar se listës së Vetëvendosjes do t’i prijë Albin Kurti.

“Sot, u zyrtarizua ajo që e kemi thënë që nga 3 qershori i vitit 2020! Një rast që do të mbahet mend në historinë e shkeljeve kushtetuese ku për më shumë se 6 muaj një qeveri e pazgjedhur e ardhur si pasojë e një pazari të madh me ish presidentin Thaçi, ia morën pa të drejtë vullnetin qytetarëve dhe fituesit të zgjedhjeve, por që pazari i tillë nuk iu eci gjatë sepse ditën e votimit nuk ishin as minimalisht në përputhje me kërkesat kushtetuese”, ka shkruar Haxhiu, njofton Klan Kosova.

Ajo shtoi se vota e Etem Arifit e bëri 3 qershorin ngjarjen që bashkë me dekretin e Thaçit cenim në themel të frymës së demokracisë në Kosovë.

“Qytetarët e kanë pritur më herët këtë vendim në mënyrë që pasojat të ishin minimale, por për arsye të pashpjeguara vendimi u publikua tek sot më 6 janar 2021! Sikur ky vendim të ishte marrë në korrik 2020 të gjitha dëmet të cilat i kemi adresuar jo vetëm ne, por edhe qytetarët, do të ishin shmangur e veçanërisht heqja e reciprocitetit me Serbinë, keqmenaxhimi i pandemisë dhe jetët e humbura, vendosja në pikëpyetje e sovranitetit të Kosovës, ndërprerja e konceptimit të vetingut, pronësia mbi Ujmanin, zvarritjet në themelimin e Institutit për krime lufte etj”.

Haxhiu ka thënë se tani është dita për të reflektuar thellë “mbi këtë cenim të institucioneve të demokracisë sonë dhe për tu organizuar ashtu që kjo mos të ndodh kurrë më”.

“Në anën tjetër tentativa për të krijuar rrethana të paqena, të pabaza dhe të pasakta duke i futur gjithë dhe të gjitha veprat në një thes është e papranueshme dhe e gabueshme. Ne çdo herë ju kemi paralajmëruar kur dikush ka tentuar të cenojë demokracinë dhe drejtën edhe pse kanë bërë obstruksione, në fund ka dalë ajo që kemi thënë dhe kështu do të jetë gjithnjë sepse ne jemi krahu i së drejtës dhe kurrë s’kemi synuar diçka që nuk na takon!”.

Këto ditë kur do të caktohet data e zgjedhjeve të reja, Haxhiu ka thënë se do të jenë manifestim solemn i demokracisë ku Lëvizja VETËVENDOSJE!, listës që do t’i prijë Albin Kurti, “do të marrë mbështetjen e fuqishme popullore”.