Zëdhënësi i Vetëvendosjes: Ky vendim i Kushtetueses nuk ia ndalon Kurtit të kandidojë për deputet
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu thotë se partia e tij i është drejtuar Kushtetueses me një rast e çështje specifike.
E ky rast ishte për votën e Etem Arifit për Qeverinë Hoti, thotë ai, përcjellë Gazeta Blic.
Ai shton se Gjykata ka mundur të bëjë dy gjëra, ta konfirmojë ose ta hedhë poshtë pretendimin e VV-së.
Albin Kurti e Albulena Haxhiu nuk kanë qenë objekt i shqytrtimit të Kushtetueses.
Sipas këtij aktgjykimi thotë ai Kurti e Haxhiu nuk kanë ndalesë për të qenë pjesë e listës për deputetë.
Postimi i plotë:
Ne i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një rast dhe çështje specifike. Kemi kërkuar mendimin e saj për pretendimin tonë se Qeveria Hoti është e jashtëligjshme duke qenë se ajo ishte formuar me votën e z. Etem Arifi, i cili, sipas nesh, nuk kishte mandat deputeti sepse paraprakisht ishte i dënuar për një vepër penale me burgim për më shumë se një (1) vit. Gjykata, në këtë rast, ka mundur të bëjë dy gjëra; ta konfirmoj pretendimin tonë apo ta hedhë poshtë. Ajo e ka konfirmuar pretendimin tonë, duke thënë se Etem Arifi nuk kishte mandat të deputetit sepse ishte i dënuar me burgim, prandaj edhe qeveria, me votën të cilit ishte formuar, është e jashtëligjshme. Nga ky moment, e ka bërë të qartë se tash e tutje një individ i dënuar me burgim për më shumë se një (1) vjet në tre (3) vjetet e fundit, nuk mund të jetë deputet. Kaq! Pra, përpos shpalljes së Qeverisë si jokushtetuese, ky ka qenë rezultati tjetër nga objekti i shqyrtimit që e ka pasur Gjykata Kushtetuese. Lëvizja VETËVENDOSJE!, Albin Kurti e Albulena Haxhiu nuk kanë qenë objekt i shqyrtimit. Për më tepër ata nuk janë të dënuar me burgim. Prandaj, në këtë aktgjykim nuk kanë ndalesë për të qenë pjesë listës dhe garës zgjedhore.
Shihemi më 14 shkurt, në referendum, për qeverisje të mirë, me Albin Kurtin kryeministër.