Socialdemokratët e Zvicrës i bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës dhe mërgimtarëve : Votoni për Lëvizjen Vetëvendosje!
Partia Socialdemokrate e Zvicrës (SP) i ka dërguar një letër përkrahjeje Lëvizjes Vetëvendosje. Shqiptarëve në mërgim kjo parti u ka bërë thirrje që të regjistrohen dhe marrin pjesë në zgjedhje.
Anëtarët e Kryesisë dhe Këshillit Drejtues të Partisë Socialdemokrate të Zvicrës (SP) kanë marrë vendim që në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë të përkrahin hapur Lëvizjen Vetëvendosje. Socialdemokratët drejtojnë dy ministri në qeverinë e Zvicrës dhe janë ndër faktorët kryesorë politik në këtë vend. Disa qytete të mëdha zvicerane qeverisen apo bashkëqeverisen nga socialdemokratët.
Në letrën përkrahëse theksohet se para gati 13 vjetësh, më 17 shkurt 2008, Kosova zyrtarisht shpalli pavarësinë. Zvicra, falë ministres socialdemokrate të punëve të Jashtme, Micheline Calmy-Rey, ishte një nga vendet e para që asokohe njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës. Sipas SP, në Kosovë shpeshherë interesat gjeopolitike dhe çështjet e stabilitetit janë vendosur para demokracisë dhe shtetit të së drejtës. “Por, pa demokraci dhe sundim të ligjit nuk mund të ketë zhvillim. Kosova ka mbetur shtëpia më e varfër e Europës. Popullsia e braktis vendin valë pas vale. Mbi 800 mijë kosovarë që nga vitet e 60 jetojnë jashtë vendit, prej tyre së paku 200 mijë në Zvicër. Rreth 1,8 milionë banorë qëndruan në Kosovë, ku korrupsioni dhe klientelizmi aktualisht po pengojnë çdo zhvillim”, theksohet në letër.