Navalni publikoi “pallatin mbretëror”, Putin e mohon: Nuk është i imi!
Presidenti rus, Vladimir Putin mohon që ai ose anëtarët e familjes së tij të zotërojnë rezidencën luksoze në Detin e Zi të raportuar nga Fondi Kundër Korrupsionit “Navalny” në hetimin-video, “Një pallat për Putinin”, sipas asaj që raporton gazeta në internet, “Meduza”.
“Nuk i pashë pamjet për shkak të mungesës së kohës, por pashë koleksionet e videove që më sollën asistentët. Asnjë nga ato që renditen, nuk më përket mua ose të afërmve të mi të ngushtë dhe as nuk u përkasin atyre”, tha Putin.
Në 19 janar, Navalni postoi videon “Pallati për Putinin, historia e rryshfetit më të madh”.
Ai pretendon se “pallati mbretëror” disa mijëra hektarë i Putinit, u ndërtua me paratë e ndërmarrjeve shtetërore dhe private ruse.
Sipas tij, të paktën 100 miliardë rubla ishin shpenzuar për ndërtimin strukturës përrallore. Zëdhënësi i presidentit, Dmitry Peskov, mohoi që Putin të ketë një pallat të tillë.
Pas publikimit të videos, më 23 janar në më shumë se 100 qytete të Rusisë u zhvilluan protesta masive që kërkonin lirimin e Navalnit nga paraburgimi, pas shërimit të tij në Gjermani për një helmim të dyshuar në Siberi vitin e shkuar.