Rajoni

Habit Rama: Të rinjtë në Korçë paguhen 8 mijë euro në muaj

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama bëri sot një deklaratë surprizuese, teksa tha se 100 të rinj nga Korça, marrin super paga, nga 1 mijë deri në 8 mijë euro në muaj, falë projekteve dixhitale.

Duke zbuluar zbuloi detaje të platformës “Shqipëria 2030”, gjatë prezantimit të propjektit për rijetëzimin e Piramidës në Tiranë, Rama tha se përmes kompjuterit të rinjtë mund të fitojnë shumë më tepër sesa po të shkonin në Gjermani.

“Në Korçë janë të paktën 100 të rinj që sot fitojnë nga 1-8 mijë euro në muaj, janë komplet në botën e tyre nuk punojnë as në shtet as në privat, por thjesht kanë gjetur punë në internet dhe bëjnë shërbime për të tretë që ju sjellin të ardhura në Shqipëri dhe sot janë 2.4 mln vende pune të lira që konsiderohen si potencial i këtij momenti për shërbime të kësaj natyre për kompani që mund të jenë në fund të botës e arrihen me një klik”, u shpreh Rama.

Ai tha se qeveria po e çon në një fazë të re dixhitalizimin duke shtrirë rrjetin e një programi për më të rinjtë që duan të vënë në punë aftësitë e tyre për botën dixhitale për të fituar.

“Po përgatisim një nga pikat e platformës për “Shqipërinë 2030”, një hapsirë e re ku shteti të jetë aktor i drejtpërdrejtë mbështetës për aftësimin sa më cilësor të të rinjve të sotëm, për të qenë nesër pjesë e këtij tregu të madh”.

Duke folur më në detaje për të rinjtë që sipas tij fitojnë deri në 8 mijë euro në muaj, Rama solli rastin e një vajze nga Korça, në ofrimin e shërbimeve dhe punëve online.

“Një vajzë sot në Korcë, kishte një portofol pune të paimagjinueshëm nga shërbimi i një boksieri në SHBA, te një kompani në Londër, te puna për disa shërbime on line e me radhe. Pra, një portofol që duket se nuk kanë lidhje me njëra tjetrën por lidhen me atë vajzë që jeton në Korçë e merr mijëra euro në muaj e nuk e njeh kush. Duam t’i nxjerrim në pah këto talente e ti kthejmë në shembull për të tjerët, në mënyrë që ta kthejmë këtë në një rrugë të re, tanimë që kemi vënë bazat në këto vite, për ta kthyer në rrugë dixhitale”, përfundoi Rama.