Kërkojnë dhe vota pale!
Shkruan: SILVANA BEGAJ
Nuk më pëlqejnë mallkimet, por sot ju them me shpirt :-U shoftë emri juaj! Kërkoni dhe vota pale.
U shoftë emri juaj se kur të shuheni ju ndoshta shpëton vendi im, vendi i njerëzve të mi, vendi i ëndrrave të mia.Më vodhët ëndrrat! Kërkoni dhe vota pale, pa pikë turpi!
Po si kërkoni vota kur ju e keni pasur të gjithë mundësitë të tregonit veten dhe ku ka shkelur këmba juaj nuk ka mbirë më bar, por ka ngelur djerr. Ju më vodhët ëndrrat!
Po si kërkoni vota kur ju mendoni vetëm për xhepat tuaj dhe atyre që investojnë për ju? Shikoni të tjerët vetëm në kohë fushate sa për të thënë që jeni si ne, të arritshëm, dhe pas zgjedhjeve zhdukeni si xhindi i Aladinit. U shoftë emri juaj!
Po turp s´ju vjen kur i kërkoni vota rrethinave ku pjesa më e madhe s’ka as drita t’ju presin si i ka hije traditave tona se ia keni prerë ju pa marrë parasysh pse nuk i ka paguar. Kurr mos pafshi hajër!
Mirë turp nuk paskeni, po zemër a keni? Kaq i tmerrshëm është pushteti sa verboheni sapo uleni në atë karrige? Po u qorrofshi dhe mos pafshi dritë sa të jetë jeta!
Po plasini sytë dhe shikoni se pak kilometra larg bllokut të Tiranës shqiptarët vuajnë për kushte minimale! Në vendin ku flitet për miliona euro familjet vuajnë akoma për bukë thatë. E në emër të atyre familjeve unë ju them: Mos ju qeshtë buza kurr!
Po për fëmijët me aftësi të kufizuara? Po për ata që ishin fëmijë e sot janë rritur dhe nuk kishin mundësitë e moshatarëve të tyre sepse ishin me aftësi ndryshe? A mendoi njëri për ta? Institucione ka? Ndihmë ka? Në emër të tyre ju them: Nëse ka 7 porta ferri ju shkofshi në të tetën.
Ky shtet që kërkon vota a mendoi për varfërinë dhe pabarazinë që këto 31 vite e ka mbjell cdo ditë me të gjitha mundësitë dhe me arrogancë?
Po për moshat e thyera kush mendon? Me ato pensione koperative ku as ilacet nuk marrin dot? Punuan gjithë jetën për vendin e tyre që në pleqëri të presin me padurim të lënë këtë botë se janë barr për fëmijët. Në emër të tyre ju them : Mos pafshi ditë të bardhë!
E përpara se të kërkoni votat dhe të ëndërroni pushtetin vëreni veten në ato familje që vizitoni për fushatë.Por jo, ju keni fituar mjaft dhe femijet tuaj as nuk e njohin Shqipërinë e vërtetë. Fëmijët tuaj shkollohen në shkollat më të mira edhe pse jam e sigurt që diku aty në një rrethinë të një qyteti ka një fëmijë me më shumë aftësi se fëmija jot i lindur me këmishë.
Mos na ofendoni të kërkoni vota se populli shqiptar nuk ka zgjedhur kurr. Ju bëni pazare me njëri tjetrin duke bërë rrotacion sa për të thënë që kemi demokraci. Por populli shqiptar nuk është budalla jo…Thjesht nuk ka ditur të mallkoj!
E nga dritarja e emigrimit sot ju them: U shoftë emri juaj dhe marrshi me vete të gjithë ata që vetëm e kanë shkatërruar këtë vend! Kërkoni dhe vota pale!