Albin Kurti dhe Ziadin Sela nga Prizreni historik: Ndryshimi është i nevojshëm
Kandidati për kryeministër të Kosovës Albin Kurti, kandidatja për presidente Vjosa Osmani dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela dhe ai i Alternativës Afrim Gashi kanë vizituar sot Prizrenin ku kanë bashkëbiseduar për situatat politike në të dy vendet. Ziadin Sela dhe Afrim Gashi kanë dërguar përkrahjet e tyre dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut drejt subjektit të Vetëvendosjes dhe Kurtit e Osmanit si dy figura të duhura për ndryshim.
Gjatë bashkëbisedimit, Kurti ka folur rreth projektit që do të lidh në mënyrë infrastrukturore Tetovën e Prizrenit, duke e quajtur si projekt historik dhe si një nismë e qeverisjes së tij për të bashkuar sa më shumë shqiptarët e dy vendeve. Ai ka falënderuar Selën dhe Gashin për përkrahje dhe nëpërmjet tyre ka ftuar shqiptarët e Maqedonisë së Veriut me shtetësi të Kosovës të votojnë subjektin e tij.
Ziadin Sela, ka folur për situatën politike të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe ka ftuar gjithë shqiptarët të përkrahin Albin Kurtin për kryeministër dhe Vjosa Osmanin për Presidente. Sipas kreut të opozitës shqiptare, ndryshimi është i nevojshëm në Kosovë nëpërmjet këtij referendumi historik. Ziadin Sela theksoi se pas ndryshimit në Kosovë, është radha e ndryshimit në Maqedoni të Veriut.