RajoniTop Lajme

Gjykata holandeze rrëzon kërkesën e Becchetti-t, zhbllokohen aksionet e Shqipërisë te kompania Shell

Shpërndaje

Gjykata hollandeze ka rrëzuar vendimin e marrë në mes të Janarit, nga një gjykatë tjetër, ku Shqipërisë i ishin bllokuar aksionet në kompaninë e naftës Shell për llogari të Francesco Becchetit.

Lajmi u bë i ditur nga “Global Arbitration Review”, ku investitori italian ka aktivizuar zyra private juridike në disa vende të Europës për të detyruar Shqipërinë që të paguajë rreth 110 milionë euro, të fituara nga procesi gjyqësor në Arbitrazhin e Bankës Botërore.

Mes tyre ishte edhe Holanda, ku çështja e konfiskimeve u përshkrua nga gazeta vendase “Het Financieele Dagblad” si tejet e ndjeshme, pasi përfshinte në një masë të madhe vetë interesat holandeze.

Kërkesa për të bllokuar pasuritë e Shqipërisë te kompania Shell ka aktivizuar vetë shtetin holandez, pasi në vlerësim të tij në mes nuk ishin më vetëm paratë e taksapaguesve shqiptarë, por edhe ato të qytetarëve holandezë.

Vendimi i sekuestrimit u apelua nga avokatët e shtetit holandez, që në shkallën e dytë ja doli mbanë që të heqë masën e sekuestros në rastin e kompanisë Shell, ndërsa mbeten të bllokuara pasuritë e Shqipërisë në kompaninë tjetër, ENI.

Ministria e Drejtësisë në Holandë tha se e ka detyrim të bazuar në ligjet ndërkombëtar që të dalë në mbrojtje të kompanive. “Në parim, nuk mund të sekuestrohen fonde nga kompanitë nëse paratë kanë një qëllim publik”,- tha ajo.