Problemi me Bullgarinë – Shqipëria i ofron mbështetje Maqedonisë së Veriut
Zaev është kategorik në lidhje me gjuhën dhe identitetin maqedonas, për Ramën çështjet e identitetit nuk duhet të jenë pjesë e politikës ditore.
Qeveria as nuk ka negociuar, as nuk do të negociojë për identitetin maqedonas dhe gjuhën maqedonase, thotë kryeministri Zoran Zaev dhe shton se kjo është e drejtë universale e të gjitha kombeve që të kenë gjuhën e tyre dhe të kenë identitetin e tyre kombëtar. Homologu i tij shqiptar, Edi Rama beson se çështjet e identitetit nuk duhet të jenë pjesë e politikës ditore dhe se Shqipëria është e gatshme ta “presë Maqedoninë e Veriut” në mënyrë që të dy vendet të mos ndahen në procesin e integrimit.
Rreth qëndrimit të partnerit të koalicionit, Lupço Georgievski, që shkaktoi një stuhi reagimesh, Zaev informoi se ka biseduar me Gerogievskin, me ç’rast ai konfirmoi se ky është qëndrimi i tij personal, dhe siç tha, ia shpjegoi se nuk mund të jetë qëndrim as i qeverisë dhe as i koalicionit, prandaj qëndrimet e qeverisë për këtë çështje janë të qarta.
“Nuk ekziston askund në botë, madje as në vendin tonë, të shkojë të flejë më 31 dhjetor, ’43 si bullgarë dhe të zgjohet më 1 janar, ’44 si maqedonas. Kjo nuk gjendet askund. Kjo është arsyeja pse Evropa nuk hyn në debate mbi historinë. Ne kemi nënshkruar marrëveshje me Bullgarinë në të cilën ne pranojmë një histori të përbashkët midis dy kombeve dhe dy vendeve. Dhe ky është me të vërtetë një hap serioz në frymën e miqësisë”, tha Zaev.
Sipas kryeministrit, megjithëse Bullgaria i njeh maqedonasit dhe gjuhën maqedonase, si realitet dëshiron të flasë për të kaluarën, por kjo, thotë është një pyetje mbizotëruese e historianëve, duke e shprehur besimin se do të gjejnë mënyra pikërisht si historianë ta rrumbullaksojnë pjesën e së kaluarës që Bullgaria dëshiron të vendosë.
Shfaqi shpresë se do të ketë ndryshim në gjetjen e një zgjidhje pas zgjedhjeve në Bullgari.
“Besoj se do të gjendet një zgjidhje, nuk do të jepja komente të hollësishme, sepse tani në Bullgari ka zgjedhje. Ndërsa pas zgjedhjeve sapo të formohet qeveria në Bullgari, ne do të vazhdojmë të hyjmë në negociata edhe më thelbësisht, sepse duam të gjejmë zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur dhe ne ta vazhdojmë rrugën tonë evropiane dhe ta mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare”, theksoi Zaev.
Rama, rreth mundësisë të ndahen Shkupi dhe Tirana tani kur Maqedonia e Veriut është e bllokuar nga ana e Bullgarisë, e ka theksuar mbështetjen e saj për vendin dhe ka shfaqur shpresën se liderët në Shkup dhe Sofje “do të tregojnë maturi dhe do ta tejkalojnë kontestin”.
“Kur të materializohen hapat konkret, si konferenca e parë ndërqeveritare, nuk është në fakt te ne. Jetojmë në kohë të ndryshme. Nuk janë këto kohë më të mira për ne në rajon”, ka thënë Rama duke u përgjigjur në pyetjen për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë para bashkëfolësve të tij, përfaqësuesit e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Zhosep Borell dhe eurokomisarit për zgjerim, Oliver Varheji.
Rama poashtu ka thënë se kur ka kuptuar se çështjet e identitetit janë iniciuar në procesin e negociatave për Maqedoninë e Veriut, “ai është tmerruar”.
“Ky është diskutimi më i keq i mundshëm kur nevojitet konsensus për arritjen e hapit të ardhshëm, pasi është e komplikuar, pasi është emocionuese dhe shpresoj se liderët e mençur të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë do ta zgjidhin këtë vetë dhe shpresoj se nuk do të presin ndonjë shkop magjik nga Berlini, Londra ose nga kudo, pasi nuk do të ndodhë. Duhet të gjejnë mënyrë vetvetiu të merren vesh”, ka porositur kryeministri shqiptar Rama.
Ai ka shtuar se e kaluara duhet tu lihet akademikëve, shoqërisë qytetare dhe ekspertëve dhe se ajo nuk ka vend në politikën ditore dhe ka shprehur shpresën se nuk do të vjen deri te ndarja e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në këtë moment të procesit, ose mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare.
“E kaluara është proces e cila mund ta mbajë peng Maqedoninë e Veriut, mos dhashë Zoti për ku ta di sa kohë, por nëse duhet t’ju presim dhe të jemi të durueshëm, do t’ju presim si fqinjë tanë dhe do të durojmë”, ka deklaruar Rama.
Takimi i rregullt për stabilizim dhe asociim me Maqedoninë e Veriut i cili duhej të mbahet në fund të shkurtit është anuluar, por sipas eurokomisarit Varheji ajo nuk ka asnjë lidhje me ndonjë presion nga Bullgaria.
“Këshilli për Shqipërinë duhej të mbahet në nëntor, ashtuqë ai është anuluar, tani kërkojmë datë, në këtë kohë të kovidit të pritshme janë shtyrjet e takimeve, nuk ka asgjë të tmerrshme lidhur me këtë, ashtu jetojmë në kohë të kovidit”, tha Varheji.
Duke u përqendruar në ndarjen e mundshme të eurointegrimeve të Shkupit dhe Tiranës, eurokomisari për zgjerim ka deklaruar se bëhet fjalë për proces të bazuar në merita dhe vendi që do t’i përmbush kushtet do ta fitojë konferencën e parë ndërqeveritare.
“Për Shqipërinë kushtet janë përmbushur dhe ne iniciojmë propozim deri te vendet anëtare të fillojë konferenca e parë ndërqeveritare sa më shpejtë të jetë e mundur”, ka deklaruar Varheji.
Presidenti bullgar Rumen Radev, në një takim me shefat e shërbimeve speciale bullgare, bëri thirrje që të ndërmerren masa në kohë për mbrojtje adekuate të të drejtave të qytetarëve bullgarë jashtë Bullgarisë, të cilët janë të ekspozuar ndaj sulmeve vetëm për shkak të vetëdijes së tyre nacionale.
Gjithashtu, në takim, është diskutuar edhe çështja në Strumicë me qytetarët e sulmuar që identifikohen si Bullgarë.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Sofjes njoftoi se ambasadori bullgar në Shkup, Angel Angellov dhe përfaqësuesi Special i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për Bullgarinë, Vllado Buçkovski diskutuan për bashkëpunimin aktual midis Sofjes dhe Shkupit.
Gjatë bisedës, theksi më i madh është vendosur në lidhjet në fushën e mediave, arsimit, kulturës, kujdesit shëndetësor dhe projekteve të infrastrukturës.