Rajoni

Pasi nuk fitoi mandatin e deputetes, Haradinaj Stublla: Skema kriminale funksionoi

Shpërndaje

Kandidatja për deputete nga radhët e AAK-së në Kuvendin e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka reaguar pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), sipas të cilave ajo nuk ka fituar mandatin e deputetes.

Haradinaj-Stublla përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se ka funksionuar “skema kriminale” për ta njollosur rrënjësisht atë dhe familjen e saj si dhe për të tjetërsuar rezultatin zgjedhore.

“Incizimi i inskenuar e i sponzorizuar, që u publikua ditë më parë, që u interpretua nga pseudo-portalet sipas dëshirës së porositësve, se kinse bashkëshorti im implikohet në bisedat e ulëta që zhvilloheshin në atë video 30 minutëshe, përmban tregues të mjaftueshëm e të bindshëm për inskenimin e dobët teatral që bëri banda kriminale sponzorizuese e kësaj fushate denigruese KUNDËR MEJE”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.

SKEMA KRIMINALE FUNKSIONOI…

“… për të më njollosur rrënjësisht mua dhe familjen time, dhe për të tjetërsuar rezultatin që u certifikua sot sipas planit duke varrosur të vërtetën e vullnetit qytetar!

Incizimi i inskenuar e i sponzorizuar, që u publikua ditë më parë, që u interpretua nga pseudo-portalet sipas dëshirës së porositësve, se kinse bashkëshorti im implikohet në bisedat e ulëta që zhvilloheshin në atë video 30 minutëshe, përmban tregues të mjaftueshëm e të bindshëm për inskenimin e dobët teatral që bëri banda kriminale sponzorizuese e kësaj fushate denigruese KUNDËR MEJE.

Por, t’i kthehemi substancës:

Tani që u raportua se dy veglat e krimit të videos kanë dalë para drejtësisë, skenari dhe porositësit e tij besoj fuqishëm se përfundimisht do të zbardhen me zbulimin e identitetit të protagonistit të tretë X1 (dhe mendoj kryesor) të video-inskenimit. I bëj thirrje publike Kryeprokurorit të Prishtinës Kujtim Munishi, i cili apostrofohet nga personi i tretë në këtë video publike në minutin 25:10, që të deklarohet se nëse ekziston lidhja e tij me këtë person, nëse e ka takuar siç po pretendohet në video, dhe kush është ai. Personi i tretë zbardhë gjithçka… madje edhe porositësin ‘politik’ që ka udhëzuar inskenimin e kësaj videoje, dhe ka kurdisur votat në QNR!

Faktet janë kokëforta, dhe e vërteta është brutale.

Në pritje të saj…”, ka shkruar haradinaj Stublla.

Haradinaj-Stublla ishte akuzuar nga kandidatët e AAK-së për manipulim me vota dhe PZAP urdhëroi rinumërimin e votave për këtë subjekt që kishin ardhur nga jashtë vendit.

Kjo ka bërë që rezultati të përmbyset dhe dikush tjetër të jetë pjesë e legjislaturës së tetë.

Në lidhje me këtë çështje, Haradinaj-Stublla dha dorëheqje si ministre e Punëve të Jashtme, ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi që dy komisionerët e dyshuar për këtë rast të shkojnë në paraburgim prej 30 ditësh.