RajoniTop Lajme

Ky është mesazhi i Haradinajt pas certifikimit të rezultatit zgjedhor

Shpërndaje

Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 14-shkurtit, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka falenderuar të gjithë votuesit,aktivistët dhe strukturat e partisë për punën e bërë.

Tutje Haradinaj ka thënë se AAK-ja do të vazhdojë me punën e palodhur për të ardhmen e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve.

Reagimi i plotë:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës

Vendi ynë zhvilloi zgjedhje me standarde të larta demokratike, që ngritën pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Sot u certifikuan rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Falënderoj të gjithë aktivistët dhe strukturat e Aleancës, për punën e vazhduar dhe të palodhur.

Falënderoj kandidatët tonë, nga vendi e diaspora, shumë prej tyre garues për herë të parë, të rinj e të reja që pasuruan me dijen e tyre organizatën tonë të përbashkët politike.

Falënderoj veçanërisht, 62.111 votuesit nga Kosova e diaspora, burra e gra që i besuan Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ju, që përkundër propagandave të qarqeve të ndryshme me të cilat vazhdimisht u sulmua Aleanca, e që nuk u argumentuan asnjëherë, vazhduat të na besoni, ashtu siç e kthyem besimin tuaj me punë, duke i dhënë vendit Ushtrinë, tapitë e Trepçës, pavarësinë energjetike e shumë të tjera, vazhdoni të besoni në ne.

Aleanca që gjatë tërë historisë së saj politike, ka dëshmuar konsistencë në temat e interesit nacional, do të vazhdojë njëjtë dhe besimi juaj do të rezultojë edhe me më shumë punë të mira për shtetin tonë dhe të ardhmen e ndritur të tij dhe për mirëqenien e të gjithë qytetarëve.

Zoti e bekoftë Kosovën!

RH