Rajoni

Meta: Presidentja Osmani do t’i shërbejë unitetit mes të gjithë qytetarëve

Shpërndaje

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, si dhe drejtues të partive politike kanë përcjellë urimet e tyre për zgjedhjen e Vjosa Osmanit në postin e presidentes së Republikës së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një reagim në rrjetet sociale, Meta shkruan se “Jam i bindur se Presidentja Osmani, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, do t’i shërbejë me përkushtim dhe përgjegjshmëri të lartë unitetit mes të gjithë qytetarëve, frymës së konsensusit, dialogut, forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe marrëdhënieve të shkëlqyera vëllazërore mes dy vendeve tona.”

“Si President i Republikës së Shqipërisë shpreh gatishmërinë time të plotë për bashkëpunim të ngushtë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike, ekonomike dhe kulturore, në interes të qytetarëve tanë dhe përshpejtimit të proceseve të integrimit në Bashkimin Evropian, të Shqipërisë dhe të Kosovës”, shkruan më tej presidenti Meta.

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, në reagimin e tij të publikuar në rrjete sociale shkruan se “Jam i bindur se presidentja Osmani do të mundësojë unifikimin e faktorit politik të Kosovës për të adresuar drejt sfidat që vendi ka përpara, garantimin e sovranitetit dhe integritetit territorial, anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, arritjen e marrëveshjes për njohje reciproke me Serbinë dhe progresin drejt integrimit euroatlantik.

“Si përherë, sot dhe nesër në qeverisje të vendit, PD dhe unë qëndrojmë në krah të Kosovës, në mbështetje të qytetarëve dhe institucioneve të saj, për ti përballuar së bashku të gjitha sfidat e për të forcuar bashkëpunimin mes nesh në dobi të zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve tanë”, thekson Basha.

Kujtojmë se Vjosa Osmani është zgjedhur nga deputetët e Kuvendit të Kosovës në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.