Bujar Bajrami: Haram ju qoftë buka që e hani!
Shkruan: Bujar Bajrami-Sekretar tekniko- organizativ i ASH
TURP!
Nga 25 mjek, vetëm një mjeke shqiptare mer nderimin në formë Plaketi nga Shoqata e Mjekëve të Maqedonisë së Veriut. Zonja Luljeta Imeri (pa dashur të paragjykoj) është Epidemiologe dhe si e tillë mendoj se ka qenë e urdhëruar nga profesioni që të jetë në ekipin për të trajtuar pacientët e sëmurë nga Covid-19. Por, me dijeninë time të paktë në këtë fushë, mendoj se periudha kur shfaqen simptomat e para të infektimit nga Sars-Cov-2, Infektologët dhe Klinika Infektive janë të thirrur për të menaxhuar situatën dhe për të trajtuar pacientët.
Të vlerësosh më shumë mjekësinë sociale nga ajo invazive, është gabim i rëndë profesional. Të dekorosh një mjeke që më tepër ka qenë e angazhuar në menaxhimin në distancë (online) të situatës me Pandeminë dhe të anashkalosh mjekët të cilët duke trajtuar të infektuarit vazhdimisht kanë qenë të ekspozuar ndaj Covid-19 duke e vënduar edhe jetën e tyre në rrezik, është sa jo profesionale po aq edhe jo njerëzore, madje shumë tendencioze.
Më habit reagimi i deputetëve ‘shqiptar’ të LSDM-së, të cilët në vend që të ndërmarin hapa konkret ndaj këtij veprimi diskriminues të Shoqatës së Mjekëve, zgjedhin që këtë skandal ta kalojnë vetëm me një reagim në rrjetet sociale. Muhamed Zeqiri, i cili ka kërkuar votën tek shqiptarët, sot ka zgjedhur që po atyre, shqiptarëve, t’u drejtohet në gjuhë maqedone dhe me shkrim qirilik. Ky reagim i kësaj forme është fyes, denigrues, poshtërues dhe i pështyrë. Ju nuk mund të arsyetoheni vetëm duke reaguar sa për sy e faqe, ju jeni në pushtet, bartni petkun e deputetit dhe nënkryetarit të partisë tuaj, kërkoni llogari nga drejtoritë dhe menaxhmenti i klinikave përkatëse se me cilën metodologji është bërë vlerësimi për ndarjen e mirënjohjeve. Kërkoni anulimin e vendimit të Shoqatës së Mjekëve dhe hapni rrugë investigimit ndaj këtij diskriminimi etnik. Ju nuk mund që vazhdimisht shqiptarëve t’ua shisni sapunin për djath. Përgjegjësia bie mbi ju dhe mbi faktorin politik shqipfolës në qeveri. Veproni ose jepni dorëheqje.
Për BDl-në nuk do të flas shumë, se të shkretët janë të zënë me Korridorin 8, kanë ngecur e janë bllokuar në Kërçovë. Kanë hall më të madh se sa të meren me denigrimin e mjekëve shqiptar.
Haram ju qoftë buka që e hani!