Kryeministri Rama prezanton kabinetin e ri qeveritar
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka prezantuar emrat e kabinetit të ri qeveritar për mandatin e tretë qeverisës, gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialistë të Shqipërisë (PS), raporton Anadolu Agency (AA).
Rama fillimisht mbajti një fjalë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të partisë që ai drejton dhe në fund prezantoi emrat e kabinetit qeveritar dhe të kryetares së re të Kuvendit të Shqipërisë. Në krye të Kuvendit të Shqipërisë Rama ka propozuar ish-ministren e Arsimit, Lindita Nikolla.
Në përbërjen e qeverisë së re, ministri aktual i Rindërtimit Arben Ahmetaj është propozuar për postin e zëvendëskryeministrit të Shqipërisë, ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka dhe ministër i Mbrojtjes, Niko Peleshi, që aktualisht i drejtojnë dy ministritë.
Ministria e Drejtësisë do të drejtohet nga Ulsi Manja, i cili ka drejtuar më parë Komisionin për Çështjet Ligjore në Kuvendin e Shqipërisë, Ministria e Brendshme nga ministri aktual Bledi Çuçi dhe në drejtimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të jetë Delina Ibrahimaj.
Ndërkohë, në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë propozohet të jetë ministrja aktuale Belinda Balluku dhe në krye të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përsëri Ogerta Manastirliu.
Ministrinë e Arsimit dhe Sportit do ta drejtojë ministrja aktuale Evis Kushi, Ministria e Bujqërisë dhe Zhvillimit Rural do të drejtohet nga Frida Krifca, e cila ka mbajtur deri tani postin e drejtoreshës së Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, në krye të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit është propozuar Mirela Kumbaro dhe për drejtimin e Ministrisë së Kulturës përsëri Elva Margariti.
Rama tha se qeveria e re do të ketë përsëri katër ministra shteti, ku Elisa Spiropali propozohet ministre shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, deputetja Edona Bilali, për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi dhe Milva Ekonomi për Standardet dhe Shërbimet.
Pas prezantimit të kabinetit qeveritar, ministrat do të dekretohen nga presidenti Ilir Meta, votohen në Kuvend dhe më pas do të fillojnë detyrën pas ceremonisë së betimit në Presidencën e Shqipërisë.
Rama: Na duhet një forcë e re dhe një pason i ri politik për ta ngjitur më lartë Shqipërinë
Gjatë fjalës në mbledhjen e asamblesë, Rama tha se Partia Socialiste duhet të bëhet për ditë e më shumë një komunitet njerëzish që sipas tij jeton me aspiratën e madhe për t’i sjellë Shqipërisë drejtësi dhe mirëqenie.
“Si askush më parë në historinë e zgjedhjeve shqiptare u rikonfirmuam këtë vit për të tretën herë radhazi. Kjo është sipas meje pa diskutim fitorja më e vështirë që kemi arritur. Na duhet një forcë e re, një pason i ri politik, një kapërcim i ri i vetvetes për ta ngjitur më lartë Shqipërinë. Partia Socialiste do të rinisë një rilindje të dytë, pas asaj që e solli në qeveri tetë vite më parë, jo më thjesht për të fituar zgjedhjet e radhës, por për të fituar të ardhmen e saj, si një burim i pazëvendësueshëm”, tha Rama.
Kujtojmë se fituese e zgjedhjeve të 25 prillit të këtij viti rezultoi Partia Socialiste e Shqipërisë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, e cila ka siguruar mandatin e tretë qeverisës, duke fituar 74 mandate nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë. Ndërkohë, më 10 shtator do të mbahet mbledhja e parë e Legjislaturës së 10-të të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.