Korrigjohet padrejtësia, Enver Idrizit i kthehet shtetësia e Maqedonisë
Rasti i shtetësisë së Enver Idrizit u aktualizua në fillim të këtij viti, kur gazeta KOHA mësoi se Qyteti i Shkupit kishte planifikuar të ndryshojë emrat e disa rrugëve, duke i lënë njërës emrin e sportistit të njohur edhe pse të njëjtin organet e sigurisë së vendit e konsiderojnë të rrezikshëm dhe nuk i japin shtetësinë.
Kampioni i shumëfishtë botëroë në karate, sportisti i njohur shqiptar Enver Idrizi – më në fund është pajisur me shtetësinë e Maqedonisë së Veriut, e drejtë kjo që i ishte mohuar tash e 30 vite si mijëra shqiptarëve të lindur në këtë shtet.
“Më në fund ma kthyen shtetësinë të cilën ma kishin mohuar.
Tani u pajisa edhe me pasaportë të këtij shteti dhe për këtë më duhet të falënderoj njerëzit që kontribuan në këtë që kjo të ndodhë, prej Ali Ahmetit, Talat Xhaferit, Artan Grubit, Nazim Bushit, e deri te ndihmësministri Xhevdet Azizi, i cili kreu një punë të mrekullueshme dhe me të cilin duhet të krenohen shqiptarët në këtë shtet për profesionalizmin e tij”, tha për gazetën KOHA, Enver Idrizi. Sportisti i njohur shqiptar për vite është refuzuar të fitojë shtetësinë e Maqedonisë së Veriut, me arsyetimin se është i rrezikshëm për sigurinë e vendit. Këtë mendim për Enver Idrizin e kishte dhënë pikërisht Agjencia për Siguri Kombëtare, duke u bazuar në kontributin që Enver Idrizi kishte dhënë në stërvitjen e ushtrive kroate, asaj të UÇK-së në Kosovë dhe UÇPMB-së në Preshevë. Përveç këtyre fakteve, përgjegjësit e ASK-së në dosjen e Enver Idrizit edhe kishin sajuar për gjoja lidhjet e tij me strukturat e shtetit të Iranit, të cilat Enver Idrizi i kishte përgënjeshtruar kategorikisht. Kjo dosje nuk ka pësuar ndryshime në ASK, mirëpo këtë herë, pas ndryshimeve të fundit të Ligjit për shtetësi, për raste të këtilla si kjo e Enver Idrizit, nuk është i nevojshëm mendimi pozitiv i sigurimit të shtetit.
Rasti i shtetësisë së Enver Idrizit u aktualizua në fillim të këtij viti, kur gazeta KOHA mësoi se Qyteti i Shkupit kishte planifikuar të ndryshojë emrat e disa rrugëve, duke i lënë njërës emrin e sportistit të njohur edhe pse të njëjtin organet e sigurisë së vendit e konsiderojnë të rrezikshëm dhe nuk i japing shtetësinë.
“Më duhet të potencoj se gjithë kjo rrugë nisi me propozimin e mikut tim nga Shkupi Nuki Xhon, i cili më mbushi mendjen të rikërkoj të drejtën time. Të mos harroj të përmend edhe Lirim Dullovin, i cili qoftë me gazetën e tij KOHA, por edhe në shumë media tjera personalisht arriti të senzibilizojë opinionin e vendit për këtë padrejtësi. Sot mund të them se jam i lumtur që arritëm të bindim politikën të korrigjojë këtë padrejtësi dhe përveç meje, mendoj se edhe shumë shqiptarë të tjerë të lindur dhe rritur në këtë shtet do të pajisen me shtëtësinë që ju takon”, tha Enver Idrizi.
Problemi i shtetësisë së Maedonisë daton që nga viti 1991, kur duke mbivotuar deputetët shqiptarë të PPD-së, Parlamenti i Maqedonisë brenda natës shpalli mijëra shqiptarë të këtij vendi apatrid, ose pa shtetësi. Tani me ndryshimet e fundit të këtij ligji, mundësohet që gjatë 3 viteve të ardhshme gjithë këta njerëz të fitojnë të drejtën e tyre për shtetësi. Lirisht mund të themi se Enver Idrizi ishte lobisti më i mirë i personave që 30 vite nuk i dëgjonte askush. (koha.mk)