Konferenca e përbashkët/ Rama: Askush nuk e ka kuptuar më mirë se Merkel rajonin tonë! Pa të Ballkani Perëndimor nuk do të ishte njësoj
Kryeministri Edi Rama është duke mbajtur konferencën e përbashkët me kancelaren gjermane Angela Merkel.
Teksa e falënderoi për të gjithë punën e bërë gjatë këtyre viteve për të gjithë rajonin, Rama tha se pa kancelaren Merkel, Ballkani nuk do ishte njësoj siç është sot dhe se procesi i Berlinit i iniciuar prej saj, e ka bërë Ballkanin Perëndimor një vend më të mirë.
Rama: Një ditë e bukur se kemi privilegjin të presim në Tiranë një mike të Ballkanit të shqiptarëve dhe të gjithë popujve të këtij rajoni. Është e trishtuar sepse kjo është vizita e lamtumirës e Merkel si kancelare e Gjermanisë. Besoj që askush nuk ka bërë për këtë rajon pas kapërcimit të luftës më shumë sesa kancelaria gjermane dhe ajo që është më e rëndësishme sipas meje është fakti se askush nuk e ka kuptuar këtë rajon më mirë sesa Merkel.
Me kancelaren është problem se nuk i ka qejf fjalimet me shumë fjalë të bukura po njëkohësisht është shumë e sinqertë edhe shprehja e fjalëve më të mira me çka ajo bëri duke iniciuar procesin e Berlinit, një proces që është vizion larg pamës jo thjeshtë për të kaluar një fazë disa vjeçare, por për ta parë të ardhmen të gjithë sëbashku. Përtej të gjitha rezultateve konkrete në aspektin e fushave që mbulon Berlini arritja më e madhe është vendosja e një fryme bashkëpunimi, bashkëveprimi dhe e sensit të së ardhmes së përbashkët.
Sot ishte privilegj që kancelarja të ishte në Tiranë dhe këtu të kishim edhe takimet bilaterale dhe të gjithë liderët e rajonit tonë dhe duhet t’i shpreh mirënjohjen e falënderimin në emër të gjithë shqiptarëve për atë që Gjermania ka bërë për Shqipërinë dhe për atë që kancelarja ka bërë për rajonin.
Duke e respektuar faktin që kancelarja është një lider që drejton Gjermaninë për shumë vite, por që asnjëherë nuk ka nguruar t’i japi zemër politikës europiane, por është gjermane dhe kohën e ka të shtrenjtë, oraret të rëndësishme.
Sot Ballkani Perëndimor është një vend shumë më i mirë seç ishte para se Merkel të niste procesin e Berlinit. Pavarësisht se do ketë vazhdimësi në politikën gjermane, Merkel do t’i mungojë këtij rajoni dhe ma ha mendja që interesi i të gjithëve këtu është të dëgjojnë më shumë fjalët e saj sesa të mijat.
Top Channel