Kurti në “Takimet e Dom Mikelit”: Fishta është politika e poemës në gjuhë
“Gjergj Fishta është politika e poemës në gjuhë. Historia jonë nuk do të mund të bënte pa këtë konfigurim krijimtar”.
Kështu tha kryeministri Albin Kurti në fjalën përshëndetëse në hapje të manifestimit tradicional “Takimet e Dom Mikelit” që u mbajt në fshatin Stubëll e Epërme të komunës së Vitisë.
“Manifestimi letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Dom Mikelit” organizohet për 32 vjet me radhë, si aktivitet përkujtimor për Mikel Tarabulluzin, klerikun dhe mësuesin, i cili në vitin 1905 e hapi shkollën shqipe në Stubëll”.
“Sivjet, këtu te Dom Mikeli, kujtojmë e mendojmë për At’ Gjergj Fishtën. Politikë, poemë dhe gjuhë. Kjo trini duhet parë si dimensionet e kohës së jetuar: politika si e tashmja, poema si e shkuara, gjuha si e ardhmja. Por natyrisht që koha nuk është lineare. Koha nuk është e thjeshtë. Koha është prodhimi i përmasave të saj. Te Fishta këto tri përmasa janë operatorët punëtorë të kuptimit. Dhe ç’është më e rëndësishmja për ne, si përmasa të kohës ato ngërthehen mes veti në çdo çast”.
Duke e kujtuar Fishtën si politikan, si anëtar i përfaqësisë në Versajë, dhe si një prej kryesorëve në Kongresin e Manastirit, Kurti theksoi se Fishta nuk shpreh më pak se kategorinë themelore të publicitetit, të shprehjes më të madhe në një gjuhë.
“Nuk ka politikë pa gjuhë, nuk ka kolektiv jashtë gjuhës, dhe nuk ka gjuhë që nuk mund të mos shprehë politicitetin e njerëzve. Gjuha është poema politike në numrin e fjalëve që shpall, në emrat gjeografikë dhe ata historik që liston. Nga një tjetër filozof gjerman, mbase më i madhi prej tyre “Gjuha është publicitet i qenies historike, dhe si e tillë është politike” – Kant. Vetë poema, në mpiksjen e traditës e vendos Fishtën në një vend të veçantë. Natyrisht që mund ta lidhim me diçka mes lirikes dhe epikes. Për Fishtën duket se në një akt themelimi duhet të gjendet gjeografia në të cilën shtjellen breza të shqipes dhe në të cilën lartohen emra të flijimit”, tha ai.