RajoniTop Lajme

Zjarrfikësit në veri me urdhër të Bahtirit (Video)

Shpërndaje

Brigada e Zjarrfikësve nga Mitrovica e Jugut ka shënuar ditën e gjashtë të qëndrimit të tyre në zonën kufitare me Serbinë, afër Jarinjes.

Për ardhjen e tyre këtu, sipas komandantit të këtij njësiti u bë me urdhër të kryetarit të Mitrovicës jugore, Agim Bahtiri.

Se këtë Brigadë drejt Veriut të Mitrovicës e dërgoi i pari i Mitrovicës jugore, Agim Bahtiri, për televizionin e konfirmuan edhe nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Këta pohuan se për këtë operacion në drejtim të tyre, nuk kanë pasur ndonjë kërkesë që të ketë ekip të tillë përkrah forcave policore.

Kurse, vet Bahtiri pavarësisht premtimit se do të flas për këtë çështje, një gjë të tillë nuk e bëri për Klanin në dy ditët e fundit.

Ndërsa, edhe nga Drejtoria e Mbrojtjes dhe Shpëtimit në kuadër të kësaj komune që menaxhojnë me këta pjesëtarë, thanë se nuk kanë informacion për fatin e tyre.

Kalimi i zonës që tashmë është bllokuar nga protestuesit serb, që po kundërshtojnë masën e reciprocitetit për targa të veturave me Serbinë, jo çdoherë ka qenë i lehtë për këtë njësi, pasi edhe ishin të provokuar nga protestuesit serbë.

E puna pas orari nuk është se iu paguhet, ndërsa ushqimin po e marrin të gatshëm nga Policia e Kosovës.

Ndërsa, nga Ministria e Punëve të Brendshme pavarësisht interesimit nuk kthyen përgjigje nëse është dashur të ketë zjarrfikës në këtë zonë kufitare.

Në aksionet e mëparshme të Policisë së Kosovës në Veri të vendit, pjesëtarët e Zjarrfikësve nuk janë përdorur në asnjë rast.