RajoniTop Lajme

Kurti: Serbia merr fonde nga BE-ja e militarizohet nga Kina e Rusia, Kosova s’ka fat tjetër pos BE-së

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur një konferencë për media me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me të cilën kanë vizituar çerdhen “Cicërima” e cila është financuar nga IPA.

Kurti tha se BE-ja është ndër donatorët me të mëdhenj në Kosovë, teksa theksoi se me Von Der Leyenin kanë diskutuar për shumë tema por me fokus ishte plani për investime ekonomike.

“E vizituam çerdhen ‘Cicërima’ e cila është financuar nga IPA. BE-ja është ndër donatorët më të mëdhenj në Kosovë. Që dy dekada ka investuar në shumë fusha. Gjatë takimit të sotëm që patëm me presidenten e KE-së, Von der Leyen, biseduam për shumë çështje por fokusi ka qenë për përpjekjet që i kemi në përgatitje për plane për investime ekonomike”, tha ai.

Kryeministri tha se në këtë takim kanë biseduar edhe për liberalizimin e vizave.

“Kemi biseduar për procesin e integrimit të Kosovës në BE. Duhet të përgatitemi për aplikim për anëtarësim në mënyrë që të marrim edhe statusin e vendit kandidat. Biseduam edhe për vendimin e vonuar të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën, biseduam edhe për situatën me COVID-19. E njoftova edhe për progresin që kemi shënuar me vaksnim. I jemi mirënjohës BE-së për mbështetjen e menaxhimit të pandemisë”, tha kreu i ekzekutivit.

Kurti ndërkaq tha se e ka njoftuar presidenten e KE-së edhe për situatën në veri.

“E njoftova edhe për gjendjen në pikat kufitare. Ne nuk kemi marrë ndonjë vendim të ri në këtë drejtim, përveç se po e zbatojmë një dakodrim të vjetër. Fatkeqësisht Serbia reagoi me forcë, duke grumbulluar trupa të vija kufitare, duke përfshirë edhe tanke, mjete të tjera, përveç këtyre ka angazhuar edhe aeroplanë ushtarakë dhe helikopterë të prodhuar nga Rusia”, u shpreh ai.

Kryeministri ka kërkuar që të dënohen sulmet në Zubin Potok e Jarinjë.

“Kam kërkuar që të dënohen sulmet në Zubin Potok dhe Jarinjë, pasi janë sulmuar institucionet e Kosovës dhe ky sulm erdhi pas deklaratave luftënxitëse të presidentit të Serbisë”, theksoi Kurti.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se Kosova nuk ka fat tjetër përveç BE-së.

“Fatkeqësisht ndodhemi në një situatë në të cilën në njërën anë merren donacione nga BE-ja, në anën tjetër Serbia përkundër që i merr këto fonde pa zbatuar vlera do të duhej që të demokratizohej e jo të militarizohej nga Kina e Rusia. Ne nuk kemi fat tjetër përveç BE-së, dhe nuk kemi kontinent tjetër përveç Evropës”, është shprehur kryeministri Albin Kurti. /Zëri

Lajmi: Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen