BotaTeknologji

Dronët e armatosur turq testohen nga ushtria hungareze

Shpërndaje

Mjeti i armatosur pa pilot “KARAYEL-SU” i zhvilluar nga kompania turke “Vestel Savunma” po testohet nga ushtria e Hungarisë, njoftoi media hungareze, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mjetet e armatosura pa pilot KARAYEL-SU të zhvilluara nga Vestel Savunma janë fotografuar si në tokë, ashtu edhe në ajër në Bazën Ajrore Papa të Ushtrisë së Hungarisë, shkroi gazeta hungareze Magyar Nemzet, me autor David Laszlo, në një lajm me titull: “Dronët e armatosur turq po tregojnë veten në Papa”.

Sipas lajmit, zyrtari i qeverisë hungareze për furnizimin në fushën e mbrojtjes, Gaspar Maroth, kishte deklaruar në një intervistë në maj se qeveria e vendit ka një strategji për dronët që nga viti 2018 dhe ka ekzaminuar shumë kompani turke për blerje.

Duke vënë në dukje se forcat hungareze të sigurisë mund të preferojnë dronin KARAYEL-SU të zhvilluar nga Vestel Savunma, lajmi thekson se ky mjet ka një qëndrim maksimal në ajër prej 20 orësh, përveç veçorive të tij plotësisht autonome të ngritjes, uljes dhe fluturimit, dhe se droni në fjalë përdoret nga forcat e sigurisë së Turqisë dhe Arabisë Saudite dhe çmimi i tij është më i volitshëm se ai i konkurrentëve.

“Njohja e Turqisë si fuqi kryesore në teknologjinë e dronëve e nxjerr atë në plan të parë në këtë garë. Përdorimi i kësaj teknologjie në terren gjithashtu luan një rol të madh. Për shembull, ata kanë marrë vlerësime shumë të mira në përvojat e tyre në Karabak, Libi dhe Siri. Gjithashtu, ka një bashkëpunim të shkëlqyer në fushën e mbrojtjes mes Hungarisë dhe Turqisë. Automjetet luftarake turke të blinduara të tipit ‘Ejder Yalçın’ iu dorëzuan ushtrisë këtë vit”, ka shkruar gazetari Laszlo.

Ndryshe, dhjetë autoblinda Ejder Yalçın, të prodhuara nga kompania turke Nurol Makina, iu dorëzuan forcave hungareze të sigurisë më 11 shkurt, kurse u njoftua se brenda një kohe të shkurtër do të dorëzoheshin edhe 40 automjete të tjera të blinduara.