Pendarovski: Pandemia dhe kriza energjetike po bëjnë presion
Presidenti Stevo Pendarovski para nënshkrimit të deklaratës me të cilën Maqedonia e Veriut u integrua zyrtarisht në NATO tha sot se deri në fillim të vitit 2024 ndarja e mjeteve për mbrojtjen dhe sigurinë duhet të jetë 2% e Bruto Prodhimit Vendor, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Ne jemi të përkushtuar që të arrijmë pragun e ndarjes prej dy përqind të BPV-së për mbrojtjen deri në vitin 2024, megjithëse po ndodhin gjëra të paparashikueshme, të tilla si pandemia apo kriza energjetike që bënë presion për një shpërndarje më ndryshe të buxhetit, mirëpo mbrojtja dhe siguria janë baza për të gjithë funksionimin e sektorëve tjerë social”, tha në fjalën e tij Pendarovski.
Deklarata u nënshkrua nga Komandanti i Komandës së Lartë Aleate për Transformim të NATO-s, gjenerali Philip Lavigne dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerallejtënant Vasko Gjurçinovski.
Pendarovski tha se Maqedonia duhet ngadalë të lirohet nga pajisje dhe armë të papajtueshme që nuk përmbushin standardet dhe punojnë për përmirësimin e Sistemit të Menaxhimit të Krizave.
Pendarovski paralajmëroi edhe modernizimin e poligonit “Krivollak” me ndihmën e aleatëve që dëshirojnë të investojnë.