Ministri Besimi ia dorëzoi kryetarit të Kuvendit, Propozim buxhetin e plotësuar për vitin 2022
Ministri i Financave, Fatmir Besimi, sot e dorëzoi Propozim buxhetin e plotësuar për vitin 2022, kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferri, me ç’rast Kuvendi duhet që ta miratojë në seancë plenare më së voni deri më datë 31 dhjetor.
Propozim buxheti i plotësuar për vitin 2022, përfshin amendametet e pranuara gjatë debatit në komisionet kuvendore. Vlera e përgjithshme e amendameteve të pranuara është 382 milionë denarë, me ç’rast është vlerësuar si një prej ndryshimeve më të mëdha të bëra përmes diskutimit lidhur me amendamentet dhe është konfirmim për gjithëpërfshirjen në procesin e miratimit të buxhetit dhe kapacitetin demokratik në vendin tonë.
Ministri Besimi, gjatë takimit theksoi se pret debati të vazhdojë në këtë frymë edhe në seancën plenare dhe me përkrahje të gjerë të votohet Buxheti për vitin 2022.
Qëllimet kryesore të Buxhetit për vitin 2022, janë: vazhdimi i kujdesit lidhur me mbrojtjen e shëndetit të popullatës, rimëkëmbja ekonomike dhe përshpejtimi i rritjes, rritja e investimeve përmes zbatimit të konsolidimit fiskal, përkrahja e proceseve të reformave në sektorin e gjyqësorit, integrimet euroatlantike, si dhe financimi i pandërprerë i funksioneve themelore të shtetit.
Fokusi kryesor i Buxhetit për vitin 2022, do të jetë mbi investimet, kështu që shpenzimet kapitale planifikohen të jenë në nivelin më të lartë deri më tani, me vlerë prej 38.2 miliardë denarëve. Shpenzimet kapitale marrin pjesë me 14% në shpenzimet e përgjithshme dhe janë rritur për 28.3% në krahasim me vitin 2021. Gjithashtu, do të ketë ulje të shpenzimeve joproduktive.
Buxheti është krijuar sipas “rregullit të artë” në financat publike, gjegjësisht, deficiti buxhetor është më i ulët se shpenzimet kapitale, që nënkupton huamarrje vetëm për shpenzime kapitale, ndërsa mjetet do të destinohen drejt projekteve që japin efekt më të madh. Kjo do të nxisë një cikël investimesh që do të kontribuojë në rritjen e përshpejtuar ekonomike.
Me Propozim buxhetin e plotësuar për vitin 2022, planifikohen shpenzime me vlerë prej 272.4 miliardë denarëve që paraqet rritje për 1.4% krahasuar me vitin 2021 dhe do të jenë në nivel prej 35.2% të PBB-së. Të hyrat janë planifikuar të jenë 238.9 miliardë denarë dhe do të jenë 7.4% më të larta se në vitin 2021. Si rezultat i kësaj, deficiti buxhetor planifikohet të jetë në nivel prej 33.5 miliardë denarëve ose 4.3% të PBB-së.