“Lulzim Brava nxori armët nga selia”, Berisha: Do zbuloj emrat e vrasësve që e mbrojnë
Akuza të forta ka hedhur ish-kryeministri Sali Berisha ndaj kryedemokratit Lulzim Basha, pas dhënies së dëshmisë në Prokurorinë e Tiranës për më shumë se dy orë.
I pyetur nga gazetarët nëse ka dhënë prova dhe emra në Prokurori, Berisha është shprehur se një pjesë të emrave, të atyre që ai i quan mercenarë, vrasës e trafikantë, i ka publikuar në faqen e tij të “Facebook”, ndërsa ka shtuar se do të dorëzojë çdo provë.
“Pa diskutim që kjo ishte një çështje pjesë e deklaratës sime. PD do të dorëzojë çdo informacion që mbledh për këtë grup mercenarësh, vrasësish, trafikantësh. Emrat konkretë i keni të publikuar edhe në facebook tim, disa prej tyre. Facebook e kam publik. Besoj se momenti që një seli partie qëndronte e pushtuar me banditë, tregonte gjithçka se ç’ndodh në narkoshtet. Çështje tjetër që unë shtrova me forcë, si ka mundësi që të njëjtat armë që përdorte narkopolicia e Edi Ramës, përdorte dhe banda e Lulzim Bravës? Kjo ishte një dëshmi tjetër e një shkrirje, bashkëpunimi, të grupit të mercenarëve me narkobanditët me uniformë.
Emrat e mercenarëve, një pjesë i kanë ndaluar. Problemi është se armët i nxori nga selia, thuhet Lulzim Brava me mjetin e tij, megjithatë ka dëshmi flagrante të pranisë së njerëzve të armatosur në seli. Ka foto, por jo vetëm. Kështu që nuk ka asnjë njeri sot që vë në diskutim ekzistencën e këtij grupi të gjerë mercenarësh të përbërë nga vrasës, trafikantë, fondamentalistë, në seli, si roje të Lulzim Bravës.
Moment tjetër që kompromenton, që dëshmon shkrirjen në një të krimit, të Edi Ramës dhe Lul Bravës, është Garda. Lulzim Brava, në kundërshtim me ligjet, mbrohet nga Garda, se ai është i shkarkuar, nuk është më kryetar opozite. Garda nuk mundet kurrë të qëndrojë në mbrojtje të një njeriu, që mbante afër vrasës e banditë. Ata zbatojnë porosinë e partisë. Një oficer garde që ruan një personalitet dhe konstaton se personaliteti mban përreth vrasës e trafikantë, është i detyruar t’i thotë komandantit që nuk e mbron këtë njeri”, tha Berisha.