Kurti: Është aktivizuar NSh “Brezovica”, po hapen rrugë për investime
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka lavdëruar punën e Bordit të AKP-së, ndërsa ka renditur edhe katër suksese kryesore, ndër to edhe identifikimin e 1 mijë e 653 aseteve të AKP-së që do të barten tek Fondi Sovran.
Në këtë vizitë kryeministri, Kurti ishte i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ku të gjithë së bashku u takuan me Bordin e AKP-së.
Kurti pas një takimi që zgjati rreth një orë u shpreh se Bordi i ri i AKP-së ka arritur të identifikojë mbi 2 mijë e 300 astete, të cilat pas një analize është vlerësuar që vetëm 1 mijë e 653 prej tyre do të jenë në portofolin e Fondit Sovran, ndërsa të tjera do jenë pjesë e AKP-së.
“E para është përgatitja e strategjisë përmbyllëse të AKP-së, e dyta është identifikimi i aseteve të cilat do të mund të transferohen në Fondin Sovran, tash së fundmi Qeveria e ka pranuar nga grupi punues koncept-dokumentin për Fondin Sovran, ndërkaq paralelisht me punën e këtij grupi punues Bordi i AKP-së ka arritur që t’i evidentoj në një regjistër të përbashkët gjithsej 2 mijë e 364 asetet të AKP-së nga të cilat pas një analize të hollësishme dhe konkrete është vlerësuar se 1 mijë 653 prej tyre do t’i barten Fondit Sovran, ndërsa 771 do të vazhdojnë të ngelen në portofolin e AKP-së. Suksesi i tretë e arritura e tretë shumë e vlefshme është shkurtime e shpenzimeve që janë bërë në vlerë të gjithmbarshme në vlerë prej 2 milionë e 600 mijë euro”, tha ai.
Shefi i ekzekutivit si sukses e ka konsideruar edhe aktivizimin e Ndërmarrjes Shoqërore “Brezovica” dhe futjen në përdorim të kuponëve fiskal të cilin e konsideroi si një mundësi për t’i rritur investimet në atë pjesë turistike të Kosovës.
“Është edhe aktivizimi i Ndërmarrjes Shoqërore ‘Brezovica’ duke vënë atë në funksion në përputhje të plotë me sistemin juridik të Kosovës[…]Meqenëse po ngjan fiskalizimi po futet përbrenda ligjit, po bëhet formalizimi i kësaj ndërmarrje dhe me këtë rast do t’i hapet edhe rruga investimeve për këtë qendër tejet të rëndësishme turistike për Kosovën”, u shpreh Kurti.
Kurse, kryetari i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Nazmi Mikullovci u shpreh se nga Qeveria kanë marr përkrahje, ndërsa theksoi se procesin e privatizimit të asteve që nuk të do jenë pjesë e Fondit Sovran synojnë t’i përmbyllin brenda 3 viteve.
“Puna themelore e jona e cila është vazhdimi i privatizimit të këtyre pronave të cilat i kemi vlerësuar që nuk kanë potencial zhvillimor për të shkuar në Fondin Sovran. Unë besoj që diku afërsisht 3 vite do të përfundoj i gjithë aktiviteti i privatizmit i cili po zgjat që afër 20 vite do të mbyllet ky kapitull dhe do të krijojmë një bazë zhvillimore të shtetit të Kosovës”, theksoi ai.
Lidhur me projektin120 milionësh afariso-banesor të NPB-së, dhe mos caktimin e mexhës me AKP për të saktësuar pronën në të cilën do të ndërtohet projekti, kryetari i Bordit të AKP-së, Nazmi Mikullovci u shpreh se këtë çështje do e trajtojnë në mbledhjen e parë të Bordit që do të mbahet gjatë këtij muaji.
“Këta kanë ardhur është e vërtetë por ne nuk kemi marr asnjë vendim dhe as nuk kemi asnjë përgjigje. Nuk kam marr kurfarë vendimi sepse kjo shkon në mbledhje e parë të Bordit e cila do mbahet në këtë muaj ne kemi kryesisht një mbledhje, përpos mbledhjeve të jashtëzakonshme por aty janë vetëm për çështje të jashtëzakonshme dhe diku në fund të këtij muaji vjen kjo dhe do shqyrtohet dhe do të informohen anëtarët e Bordit veçse është përgatitur një informatë e cila do të shqyrtohet në Bord. Ne nuk kemi vlerësuar kurrfarë shkelje që ka bërë ushtruesi i detyrës, Avni Jashari, normalisht është me i pranuar kur vjen dikush e tjetër është a pranojmë apo nuk pranojmë“, theksoi ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i pyetur rreth paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike nuk deshi të flas aty, por njoftoi se në orën 15:00 do ketë një konferencë për medie ku së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli do t’i paraqesin qëndrimet e tyre.