Borxhe deri n’fyt! Spitalet me minus prej 97 milionë euro
Të dhënat e fundit të Ministrisë së Financave tregojnë se spitalet, klinikat dhe qendrat shëndetësore të Maqedonisë së Veriut, deri në dhjetor 2021 kanë borxh rreth 68 milionë euro.
Në këtë shumë nuk janë përfshirë 29.5 milionë euro shtesë nga borxhi i papaguar pas së cilës kjo përllogaritje rezulton se shtëpitë shëndetësore në mbarë vendin, klinikat dhe spitalet e përgjithshme së bashku kanë mbi 97 milionë euro borxh. Për shembull, spitali i përgjithshëm në Ohër nuk ka paguar fatura me vlerë 3.2 milionë euro vitin e kaluar.
Llogaria e saj bankare është bllokuar nga përmbaruesit për shkak të faturave të papaguara të energjisë elektrike. Një numër kreditorësh presin të paguajnë për shërbimet e kryera në spital.
Drejtori i spitalit Goran Balevski pranon se spitalit është bllokuar llogaria dhe thotë se nuk mund t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike. “Jo vetëm faturat e energjisë elektrike, e gjithë situata me pandeminë, ju them se vetëm faturat e oksigjenit janë të mëdha. Për të bërë një krahasim para krizës, departamenti infektiv konsumonte një shishe oksigjen në vit, dhe gjatë krizës departamenti infektiv konsumonte 200 shishe në ditë. Është një rritje e madhe e kostove, pra janë rritur kostot për kujdestari, për faturat e spitalit të përgjithshëm, për sa i përket faturave të energjisë elektrike”, tha Balevski. Ai shpjegon se financiarisht spitali është i paqëndrueshëm dhe nuk mund të mbijetojë, sidomos me kaq shumë kreditorë “në qafë”.
TOP LISTA E SPITALEVE ME BORXHE
E para në listë në dhjetor 2021 është klinika e onkologjisë me një borxh prej 6.4 milionë eurosh, i cili deri në korrik të të njëjtit vit ishte 2.4 milionë euro. Menjëherë pas tij është spitali i qytetit “8 Shtatori” me një borxh prej 4.3 milionë eurosh, i cili gjatë pandemisë u shndërrua në qendër kovid, për kurimin e pacientëve të infektuar me koronavirus, ndërsa repartet e tjera nuk pritën pacientë. Por edhe para pandemisë, pra në vitin 2019, ky spital mbante vendin e dytë me një borxh total të vonuar prej 4.7 milionë euro. “Medalja e bronztë për spitalet më me borxhe” shkon edhe për Institutin e Mjekësisë të Transfuzionit me një deficit prej 4.3 milionë euro.
Po ashtu me borxh total prej 40 milionë eurosh janë edhe spitalet e përgjithshme në Kërçovë, Kumanovë dhe Ohër, si dhe spitali klinik në Manastir me borxhe prej rreth 3 milionë euro. Më pas në listën me 2 milionë euro borxh janë klinikat në spitalin shtetëror “Nënë Tereza”, spitali i përgjithshëm në Strugë, si dhe spitalet klinik në Shtip dhe Tetovë. Më e prekura nga pandemia është Klinika për Sëmundje Infektive e cila gjatë vitit 2021 me një minus prej gati një milion eurosh, që e vendos atë në vendin e 22-të për sa i përket borxhit nga gjithsej qindra institucione shëndetësore në vend. Nga të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se Spitalet e Përgjithshme së bashku kanë 14 milionë euro borxh, ndërsa të gjitha klinikat në spitalin shtetëror 34 milionë euro. Pjesa e mbetur prej 20 milionë euro i takojnë qendrave dhe institucioneve shëndetësore.
MBI 400 AKTGJYKIME TË KONFIRMUARA KUNDËR KLINIKAVE
Gjykatat janë të stërmbushura me raste në të cilat palë e paditur kanë qenë spitalet dhe klinikat. Mbi 400 padi në dy vitet e fundit janë shqyrtuar nga Gjykata e Apelit lidhur me financat e klinikave. Kompanitë mjekësore që pajisin spitalet me ilaçe dhe pajisje mjekësore i mbledhin paratë e tyre nga disa klinika përmes procedurave gjyqësore.
Për shembull, kompania “Europek” padit Qendrën Emergjente për materiale të papaguara për sterilizimin me vlerë 10 mijë euro. Ndërsa kompania “Panovski” në vitin e kaluar ka marrë aktgjykim të formës së prerë ndaj Klinikës për sëmundje të fëmijëve nga ku nuk ka mundur të arkëtojë borxhet prej 30 deri në 70 mijë euro. Situata është e ngjashme me kompaninë “Promedika”, e cila nuk ka mundur të arkëtojë nga Klinika për Kardiologji nga një borxh prej 45 mijë eurosh për blerjen e mjeteve mjekësore. Në listën e paditësve në spitale dhe klinika janë përfshirë edhe kompanitë publike si Ujësjellësi dhe Kanalizime, të cilat nuk mund të shlyejnë një borxh prej vitesh.
Nga Ministria e Shëndetësisë u përgjigjën duke thënë se monitorojnë nga afër punën e të gjitha institucioneve publike shëndetësore dhe shërbimeve përkatëse dhe po monitorojnë të gjitha aspektet e funksionimit të institucioneve si nga pikëpamja profesionale, ashtu edhe nga ajo financiare. (koha.mk)