Debat publik në Komunën e Tetovës për parcelën e “Shik Jellakut”
Debat publik në Komunën e Tetovës për revidimin e planit urbanistik për bllokun 57 A, apo siç njihet parcela e Shik Jellakut që iu shit biznesmenit kontrovers Daka Davidoviq nga Mali i Zi.
Kreu i komunës, Bilall Kasami tha se pasi të përfundojë debati do të vendoset për hapat e mëtutjeshëm, përkatësisht nëse do të ketë ose jo pezullim të vendimit.
“Në këtë debat dhe ditët në vijim, në gjithë procedurën ne duhet të kemi parasysh gjitha aspektet e nismave, që nënkupton aspektin financiar, formal juridik dhe aspektin e interesit publik. Ne si komunë nisemi fillimisht duke mbrojtur interesin publik, por gjithnjë duke mos harruar dimensionin formal-juridik dhe duke pasur parasysh aspektin financiar. Qëllimi ynë është që në këtë plan detal urbanistik të mbrohet interesi publik”, Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.
Nga sektori jo qeveritar janë shprehur kundër këtij plani detal urbanistik, me arsyetimin se, qyteti, me infrastrukturën aktuale që ka është i mbipopulluar.
“Me rëndësi është që jo vetëm përmes konsultave publike, por edhe punëve dhe grupeve të ekspertëve të vlerësohet dhe të vendoset se në cilën anë do shtohet qyteti dhe si. Nuk është puna vetëm tek shik Jellaku, por ka edhe pallate të tjera që janë ndërtuar dhe nuk janë futur në proces të decentralizimit. Mendoj se protestat gjithnjë janë një opsion si mjet i fundit demokratik që kanë në duar qytetarët. Por besoj se është me rëndësi para të shihet interesi i qytetarëve përpara disa grupeve të biznesit”, tha Arianit Xhaferi. Eco Guerilla.
Sipas ndryshimeve të Planit detal urbanistik që ka të bëjë me ish fabrikën Shik Jellak parashihet që kjo pjesë të shndërrohet në bllok urban për ndërtimin e banesave dhe një qendre tregtare. Një gjë e tillë pati shkaktuar reagime të shumta të politikës dhe sektorit civil. Ndërkohë sipas informatave parcela në bllokun urban 57 A, e cila iu shit biznesmenit kontrovers Daka Davidoviq, tashmë ka pronar dhe investitor të ri. /Alsat/