BotaTop Lajme

OKB-ja e miraton rezolutën e propozuar nga SHBA-ja dhe Shqipëria

Shpërndaje

Organizata e Kombeve të Bashkuara e miratoi rezolutën e propozuar nga SHBA-ja dhe Shqipëria.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, me anë të një postimi në Twitter.

“Miratim i fuqishëm i rezolutës së propozuar nga Shqipëria dhe SHBA. Sesioni Special i Emergjencës i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u mbështet nga 11 anëtarë të OKB-së. Edhe një herë Rusia u izolua. Bota nuk do të heshtë”, shkruajti Xhaçka.

Disa ditë më parë, bashkë me SHBA vendi ynë propozoi një rezolutë në Këshillin e Sigurimit ku i bëhej thirrje Rusisë që të ndalonte sulmin ndaj Ukrainës dhe të tërhiqte të gjithë trupat e saj nga ky vend, duke e detyruar Rusinë të përdorë veton e duke treguar fare qartë në sytë e të gjithë botës sesa e izoluar është Rusia në këtë sipërmarrje.

Në daljen e saj më herët për mediat, ku njoftoi sanksionet e Shqipërisë ndaj Rusisë, Xhaçka tha: “Gjatë ditës së sotme, në Këshillin e Sigurimit do të votohet për ta diskutuar këtë rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme, çka do të demonstrojë edhe një herë izolimin e skajshëm të Rusisë në arenën ndërkombëtare”./tvklan.al/