Bota

Zelenskiy i vë një kusht Rusisë: Ndalo bombardimet, pastaj ulemi në tryezën e bisedimeve

Shpërndaje

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, tha të martën se Rusia duhet të ndalojë bombardimet e qyteteve ukrainase përpara se të fillojnë bisedimet për një armëpushim, pasi raundi i parë i negociatave këtë javë kishte sjellë pak rezultate.

Në një intervistë për Reuters dhe CNN, Zelenskiy u kërkoi anëtarëve të NATO-s të vendosin një zonë ndalim-fluturimi për të ndaluar forcat ajrore ruse, duke thënë se kjo do të ishte vetëm një masë parandaluese dhe nuk do ta përfshinte edhe aleancën në luftën me Rusinë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Duke vendosur kushtet e tij për bisedime të mëtejshme me Rusinë, Zelenskiy i tha Reuters dhe CNN-it, në intervistën e përbashkët se “është e nevojshme që të paktën të ndalet bombardimi i njerëzve, thjesht ndaloni bombardimet dhe më pas ulemi në tryezën e bisedimeve”.

Pikërisht teksa ai po fliste, raporton Reuters, doli lajmi se një raketë ruse kishte goditur një kullë televizive pranë një pllake përkujtimore të Holokaustit në kryeqytetin ukrainas, Kievin, duke vrarë të paktën pesë persona. Të martën herët, një tjetër raketë goditi zemrën e qytetit lindor të Kharkiv në Ukrainë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Nëse NATO nuk na anëtarëson, atëherë le të na garantojë sigurinë”
Ukraina ka pranuar donacione me armë nga shtetet anëtare të NATO-s për të ndihmuar në përballjen e një pushtimi ushtarak në shkallë të lartë të lëshuar nga forcat ruse javën e kaluar, ndërsa shtetet e perëndimit gjithashtu kanë vendosur sanksione të forta ndaj ekonomisë ruse. Por Zelenskiy i ka kërkuar komunitetit ndërkombëtar të bëjë më shumë, duke përfshirë këtu edhe vendosjen e një zone ndalim-fluturimi.

“Partnerët tanë, nëse nuk janë të gatshëm ta marrin Ukrainën në NATO, sepse Rusia nuk dëshiron që Ukraina të jetë në NATO, duhet të përpunojnë garanci të përbashkëta të sigurisë për Ukrainën”, tha Zelenskiy.

“Kjo do të thotë se ne kemi integritetin tonë territorial, se kufijtë tanë janë të mbrojtur, kemi marrëdhënie të veçanta me të gjithë fqinjët tanë, jemi plotësisht të sigurt dhe garantuesit që na japin sigurinë, ata e garantojnë këtë ligjërisht”, shtoi presidenti ukrainas në intervistën e tij, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Luftë deri në fund.
Rusia nuk është se ka përfituar shumë nga konflikti deri tash, as nuk pushtuar qytete të mëdha, në atë që e quan një “operacion ushtarak special” kundër fqinjit të saj, shkruan Reuters.

“Është shumë e rëndësishme ta dini se nëse Ukraina bie, atëherë të gjitha këto trupa (ruse) do të jenë në kufijtë e vendeve tuaja anëtare të NATO-s… dhe ju do të përballeni me të njëjtën dilemë atje”, tha Zelenskiy.

Presidenti ukrainas, tash e gjashtë ditë, ka qëndruar në Kiev për të organizuar popullin e tij kundër pushtimit rus, duke postuar video në rrjetet sociale dhe duke siguruar vazhdimisht popullsinë se as ai, as familja e tij dhe as zyrtarët më të afërt nuk janë larguar nga Ukraina.

I pyetur në lidhje me rutinën e tij të përditshme, Zelenskiy u përgjigj: “Unë vetëm punoj dhe fle”. Ai është parë tejet i emocionuar teksa ka shtuar se ka dy ditë që nuk i ka parë fëmijët e tij. /Përktheu: Rexhep Kameraj – Reporteri.net/