RajoniTop Lajme

Qeveria e Kosovës largon përkohësisht vizat për ukrainasit

Shpërndaje

Qeveria ka marrë vendim për pezullimin e përkohshëm të regjimit të vizave hyrëse ndaj shtetasve të Ukrainës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me qëllim të solidarizimit me shtetasit e Ukrainës, propozojnë pezullimin e regjimit të vizave.

Kurse Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme tha se pezullimi i përkohshëm i regjimit bazohet në gjendjen e krijuar dhe kërkesat humanitare.

“Për të ju referuar situatës së krijuar për t’i dalë në ndihmë shtetasve civilë, përjashtimi nga regjimi do të ndikonte pozitivisht në kalimin ose hyrjen në Kosovë. Me këtë veprim Kosova do të rendohej përkrah vendeve evropiane”, tha Gërvalla.

Sot janë bërë dy javë kur ka filluar lufta në Ukrainë nga Rusia.

Ushtria e Ukrainës është pajtuar për një armëpushim 12-orësh me Rusinë, për t’i lejuar civilët të largohen përmes korridoreve humanitare nga ky shtet.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.