Rama: Në fatura do vëmë koston reale të OSHEE, diferencën e paguan shteti. Protestat, turp
Kryeministri Edi Rama ka marrë vnedimin si qeveri që në faturat e energjisë elektrike të shënojë dhe vlerën reale të konsumit, pavarësisht se qytetarët paguajnë vetëm një pjesë të saj. Në një takim me pensionistët, Rama tha se tashmë të gjithë shqiptarët duhet të dinë se 2 të tretat e konsumit të tyre të energjisë elektrike ua paguan shteti, ndërsa ata derdhin para për pjesën më të vogël. Për ta bërë më të qartë këtë gjë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku bëri dhe krahasimin me faturat e tre qytetarëve që kishte përzgjedhur.
Por, protestat mbeten një turp për kreun e qeverisë! Ai përmendi edhe jelekverdhët dhe tha se madje as ata që dogjën Parisin nuk dolën në protesta, pasi e kuptojnë që në kohë lufte, ka rritje çmimesh. Kryeministri Rama akuzoi edhe ish-kryeministrin Sali Berisha se mbush sheshet me njerëz për të protestuar kundër rritjes së çmimeve duke i sjellë me autobusë nga rrethet. Pa përmendur asnjë emër, ai tha se madje e di edhe se kush ua paguan naftën e autobusëve të gjithë aty që dalin me dy gishtt lart. Sheshet për të, do të mbusheshin nëse rritja do të ishte pasqyruar në faturat e energjisë elektrike dhe të mos kishte asnjë lloj mburojë nga shteti. Madje, nëse kjo gjë do të kishte ndodhur, protestuesit sipas Ramës do ta thithnin pompën e karburantit sikur të ishte nje biberon.
Ai akuzoi shqiptarët se duke protestuar po i shërbejnë Rusisë, vendit që po pushton Ukrainën e se ende nuk e kanë kuptuar që në Kiev po luhet fati i Evropës. Atyre që e quajnë hajdut, Rama iu përgjigj sërish duke thënë se ata që e akuzojnë me siguri janë vetë të tillë, ose do të ishin nëse do të kishin një post si ai i kryeministrit. Kryeministri Edi Rama ka sfiduar edhe Serbinë që të tregojë nëse është ‘serioze’ në lidhje me nismën ‘Open Balkan’. Kryesocialisti tha se Serbia duhet të hapë rrugët me Shqipërinë, pasi vendi ynë ka 20 mijë ton të kontraktuara në Serbi e në këtë kohë lufte, duhet treguar se Ballkani i Hapur vlen vërtet për ta. Në fund, Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ka përmendur edhe njëherë dy pikat e paketës së Rezistencës Sociale të publikuar nga vetë kryeministri Edi Rama. tha se do ketë rritje të pagës minimale e indeksim të pensioneve, paga minimale do të rritet me dy mijë lekë në prill, ndërsa pensionet në varësi të shumës, nga 400 në 1 mijë lekë në muaj.