Arrestohet pronari i barnatores në Prishtinë, dyshohet se shiste barna me banderola të falsifikuara
Policia e Kosovës ka njoftuar se Krimet Ekonomike sot kanë arrestuar pronarin e një barnatoreje në Prishtinë nën dyshimin se ka shitur produkte medicinale të kontrabanduara, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit, i dyshuari A.V., këto produkte të kontrabanduara i ka shitur me banderola të shteteve të huaja dhe me banderola tjera të falsifikuara, duke i vënë në lajthitje pacientët kinse janë me banderola të rregullta.
Në këtë mënyrë, i dyshuari ka arritur të përfitojë materialisht dhe e ka rrezikuar potencialisht shëndetin e përgjithshëm.
Policia ka deklaruar se i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, gjegjësisht Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë (Departamenti i Përgjithshëm), sot me datë 21.03.2022, pas disa veprimeve hetimore/operative, përmes hetuesve kompetent kanë arrit të sigurojnë informata në lidhje me një aktivitet kriminal për personin e dyshuar me iniciale (A. V.),në cilësi të pronarit të një barnatoreje, i cili duke shitur produkte medicinale të dyshuara si të kontrabanduara (barna pa banderola të Republikës së Kosovës), me banderola të shteteve tjera, si dhe me banderola të falsifikuara me qellim të vënies në lajthim të pacientëve (kinse janë me banderola të rregullta). I dyshuari i lartcekur me iniciale ka arritur që të përfitoj materialisht në aspektin personal dhe njëkohësisht duke i rrezikuar potencialisht shëndetin e përgjithshëm“, thuhet në njoftimin e PK-së.