Vuçiqi shpall “situatë të vështirë në Serbi” pas refuzimit të Kosovës për zgjedhjet
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka anuluar të gjitha tubimet elektorale për ditën e sotme me arsyetimin se “situata në Serbi është e vështirë”.
Dhe kjo vështirësi, siç raporton “Blic”, vjen nga refuzimi që i ka bërë Qeveria e Kosovës Serbisë për organizimin e zgjedhjeve 3 prillit.
Vuçiqi pas mbledhjes të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nisi takimin me udhëheqësit serbë të Kosovës, ku bën pjesë edhe një ministër i Qeverisë Kurti – Goran Rakiq dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, që janë anëtarë të Listës Serbe.
“Kjo është një situatë shumë e rëndë për vendin. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në takimin me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova”, ka thënë Vuçiq në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Sot, zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë të martën, 22 mars, në konferencën për shtyp të Komisionit Evropian, se Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për atë që ai e ka quajtur “vendim të Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it”, për votimin e Serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi. Vendet e Quint-it janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca.
“BE-ja ka vepruar si lehtësues, Përfaqësuesi i Lartë ishte i angazhuar në kontakte për të gjetur marrëveshje për zgjidhje praktike që do t’u mundësonte qytetarëve me dyshtetësi të marrin pjesë në zgjedhje. ‘Kemi bërë përpjekje të gjejmë zgjidhje praktike duke përdorur analogjitë që ishin vendosur në votime në të kaluarën”, ka thënë zëdhënësi i BE-së duke pohuar se Serbia ka luajtur rol konstruktiv e Kosova ka refuzuar.
“Duke pranuar se Serbia ka qenë e hapur për gjetjen e zgjidhje ne shprehim keqardhje se konsensusi mes palëve në fund nuk u arrit pas vendimit të Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të Quint-it”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.